Me ftesë të Këshillit Katalan për Lëvizjen për Europën, Ambasadorja Entela Gjika mori pjesë në aktivitetin me temë “Zgjedhjet në Parlamenin Europian dhe Zgjerimi i BEsë”.
Ambasadorja mbajti edhe një fjalë mbi progresin që ka bërë Shqipëria drejt integrimit Europian, duke prezantuar të pranishmit me proçeset reformuese, përkushtimin e Shqipërisë ndaj reformave dhe rezultatet e jashtëzakonshme që janë theksuar dhe pranuar edhe nga Progres Raporti i vitit 2023 i Komisionit Europian, gjatë Presidencës Spanjolle të Bashkimit Europian.
Integrimi europian është një objektiv gjeostrategjik dhe politik i Shqipërisë, është në thelb të politikës sonë të brendshme dhe të jashtme. Prioriteti i Shqipërisë është të përparojmë më shpejt drejt anëtarësimit të plotë në BE. I gjithë spektri politik dhe shumica e popullsisë shqiptare janë pro objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sipas sondazheve, anëtarësimi në BE mbështetet nga rreth 96% e popullsisë sonë.
Në fjalën e saj, Ambasadorja shprehu falenderimet për mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike.