Më 21 tetor 2025, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, Sh.T. Znj. Entela Gjika, u ftua nga Zyra e Dekanatit të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale të Universitetit të Castilla-La Mancha, niveli Master, në Kampusin e Toledos, për të marrë pjesë në aktivitetin me titull “Menaxhimi Ndërkulturor dhe Mundësitë e Biznesit midis Spanjës dhe Shqipërisë”.
Fjalët e hapjes u mbajtën nga e nderuara znj. Alicia Valmaña Ochaita, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, dhe e nderuara znj. Cristina García Nicolas, Zëvendësdekane e Ndërkombëtarizimit dhe Lëvizshmërisë së të njëjtit Fakultet.
Në fjalën e saj, Sh.T. Znj. Entela Gjika, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, foli për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis Shqipërisë dhe Spanjës, historinë e zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, perspektivën e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e plotë të Spanjës në këtë proces, shkëmbimet tregtare midis dy vendeve, si dhe potencialin për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat.
Eventi u organizua në kuadër të bashkëpunimit midis Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë dhe Universitetit të Castilla-La Mancha, me kontribute nga Tirana nga Profesoresha e Asociuar Eriona Shtëmbari, Drejtuese e Departamentit të Shkencave Kompjuterike dhe Biznesit Elektronik, dhe Profesori i Asociuar Amarildo Zane, Profesor i Organizimit të Biznesit në Fakultetin e Shkencave Ligjore dhe Sociale të Universitetit të Castilla-La Mancha në Toledo.