Marrëdhëniet Shqipëri-Spanjë
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjë janë shumë të mira dhe karakterizohen nga shkëmbimet në të gjitha sektorët. Ka dëshirë, vullnet dhe arsye që këto marrëdhënie të përmirësohen vazhdimisht në të ardhmen. Të dyja vendet ndajnë vlera të përbashkëta humane dhe demokratike.
Shqipëria është vend kandidat për Bashkimin Evropian, në të cilin Spanja është vend anëtar. Në këtë proces, i cili është prioritet strategjik për Shqipërinë, mbështetja e Spanjës ka qenë e vazhdueshme dhe aktive. Pavarësisht krahëve politikë, qeveritë spanjolle kanë qenë përherë pro evropiane dhe në favor të proceseve të zgjerimit të Unionit.
Të dyja vendet janë anëtare të NATO. Në kuadër të Aleancës bashkëpunojnë intensivisht me njëra tjetrën.
Si Shqipëria po ashtu dhe Spanja janë vende mesdhetare, ndajnë një hapësirë historikisht shumë të rëndësishme dhe interesa të njëjta në këtë rajon. Me ndikimin e saj pozitiv historik, Spanja ka një rol të rëndësishëm në intensifikimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Mesdheut dhe Unionit Mesdhetar.
Historiku
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës kanë zanafillën e tyre në njohjen reciproke në 27.8.1922. Në prill 1929 Spanja hapi legatën e saj në Tiranë. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste marrëdhëniet u ndërprenë dhe Spanja mbylli legatën e saj në Tiranë.
Gjatë periudhës kur të në dyja vendet ishin nën regjime diktatoriale, të dyja palët nuk treguan dëshirë për të bashkëpunuar. Kontaktet dhe përpjekjet për rivendosjen e marrëdhënieve u gjallëruan në vitet “80 dhe përfundimisht u finalizuan më 12 shtator 1986. Ambasadori spanjoll (me seli në Romë) ka paraqitur letër kredencialet në dhjetor të 1986 dhe në prill të vitit 1987 është akredituar ambasadori i parë shqiptar në Madrid, me rezidencë në Paris.
Më datat 1-4 nëntor 1989 një delegacion ministerial shqiptar, kryesuar nga Ministri i Jashtëm, Reis Malile realizoi një vizitë zyrtare në Madrid, gjatë së cilës u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit kulturor, arsimor e shkencor.
Me rënien e regjimit diktatorial në Shqipëri edhe marrëdhëniet mes dy vendeve filluan të intensifikohen me shpejtësi dhe dy palët treguan vullnet të mirë për t’u afruar dhe bashkëpunuar ngushtë në vazhdimësi.
Në maj 1992, Kryetari i Kryesisë së Kuvendit Popullor, Pjetër Arbnori, i ndodhur në Madrid për një Konferencë Ndërkombëtare, u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Senatit dhe Ministri i Jashtëm. Më 1 deri më 3 nëntor 1993, Ministri i Punëve të Jashtme, Alfred Serreqi kreu një vizitë zyrtare në Spanjë, ku u takua me homologun e tij, Javier Solana.
Shqipëria mori vendimin të hapë në Spanjë ambasadën e saj të parë. Më 22 qershor 1995, Ambasadori i parë shqiptar rezident në Madrid, Zef Simoni paraqiti Letër Kredencialet para Mbretit Juan Carlos I.
Në periudhën 1995-2000, shkëmbimet politike kanë qenë intensive dhe kanë kulmuar me vizita pune në nivele Kryeministrore, si vizita e Kryeministrit Jose Maria Aznar në Tiranë në 1999 dhe Kryeministrit Ilir Meta në Madrid në vitin 2000.
Në dekadën e parë të viteve 2000, marrdhëniet kanë kulmuar më zhvillime historike mes dy vendeve.
Në vitin 2006 hapet Ambasada e Mbretrësisë së Spanjës në Tiranë. Më 18 korrik 2006, Ambasadori spanjoll, rezident në Tiranë, z. Manuel Montobio de Balanzo paraqiti Letër Kredencialet tek Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi. Hapja e Ambasadës shënoi një etapë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Në tetor 2008, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, zhvilloi një vizitë në Madrid. Gjate kësaj vizite Komisioni i Jashtëm i Parlamentit spanjoll miratoi me unanimitet Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë ne NATO, një moment historik për të dyja vendet.
Në vitin 2010, gjatë Presidencës Spanjolle të radhës së Bashkimit Evropian, u mor vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Në këtë arritje të madhe për shqiptarët Spanja luajti një rol mjaft të rëndësishëm, mbështetës.
Kjo dekadë, nisi me vizitën zyrtare të Kryeministrit Edi Rama, më 4 tetor 2021, me ftesë të Presidentit të Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, z. Pedro Sanchez, pas më shumë se një dekade, prej vizitës së Kryeministrit Fatos Nano Madrid, në vitin 2004. Në takimin mes të dy kryeministrave u shpreh mbështetja e plotë që Spanja i jep Shqipërisë për integrimin e saj të shpejtë në Bashkimin Evropian. U shpreh po ashtu dëshira për t’i thelluar edhe më tej cilësisht marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona.
Në këtë pesëvjeçar shkëmbehen rregullisht vizita të nivelit të lartë mes dy vendeve në nivelet më të larta dhe thellim i bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizar dhe narkotrafikëve, mjekësi, infrastrukturë, tërheqjen e investimeve në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme, rritjen e shkëmbimeve tregëtare. Marrëveshje të përbashkëta janë firmosur në fushat përkatëse.
Më 25 korrik 2022, Presidenti i Qverisë së Spanjës, Pedro Sanchez, zhvilloi një vizitë zyrtate në Tiranë, ku u prit nga Kryeministri Edi Rama. Më 21 janar 2024, Kryeministri Rama vizitoi Madridin. Gjatë vizitës ai u takua me Presidentin e Qeverisë së Spanjës, Pedro Sanchez, si dhe prezantoi Shqipërinë në një nga panairet më të mëdha të turizmi, FITUR. Po atë vit u zhvilluan vizita zyrtare e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili u prit nga Ministri për Punët e Jashtme, Bashkimin Europian dhe Bashkëpunimin, José Manuel Albares Bueno.
Më 7 shkurt 2025, Kryeministri Edi Rama u prit nga Mbreti i Spanjës, Felipe VI, në Pallatin Zarzuela në Madrid. Edhe ky, një tjetër zhvillim hitorik që reflekton forcimin gjithmonë e më shumë të nivelit të marrëdhënieve me dy vendeve.
Me rastin e 40-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërsë dhe Spanjës, më 17 mars 2026, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u prit në vizitë zyrtare nga homologi i tij Ministri për Punët e Jashtme, Bashkimin Europian dhe Bashkëpunimin, José Manuel Albares Bueno. Mesazhet e vizitës ishin të qarta, avancimin shumë të shpejtë të vendit tonë drejt Bashkimit Europian dhe mbështetjen e plotë dhe aktive të Spanjës në këtë udhëtim.
Marrëveshjet Dypalëshe
- Marrëveshje për bashkëpunimin kulturor dhe arsimor ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 25.11.1999, hyrë në fuqi më 03.10.2000.
- Program bashkëpunimi financiar shqiptaro-spanjoll ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 02.02.2000, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Traktati i fqinjësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 22.11.2001.
- Marrëveshje për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 05.06.2003, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Program bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 13.06.2003, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës për Transportin Ndërkombëtar rrugor të mallrave dhe udhëtarëve, nënshkruar më 10.04.2003, hyrë në fuqi më 25.06.2004.
- Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 27.07.2005, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës mbi heqjen reciproke të vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit, nënshkruar më 06.02.2006, zbatohet nga data 09.03.2006.
- Marrëveshje e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Institutit të Kredisë Shtetërore të Mbretërisë së Spanjës për projektin e ripërtëritjes së rrjetit elektrik të shpërndarjes Fier, nënshkruar më 25.10.2005 për palën tonë dhe për palën spanjolle më 20.11.2005, ratifikuar me ligjin nr. 9451, datë 15.12.2005.
- Memorandum ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 20.07.2007, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës për programin e bashkëpunimit dypalësh 2007-2010, nënshkruar më 19.07.2007, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës mbi ushtrimin e lirë të aktiviteteve të paguara për personat në ngarkim të personelit diplomatik, konsullor, administrativ dhe teknik të misioneve diplomatike dhe konsullore, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi më 15.08.2012.
- Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi më 30.04.2010.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës lidhur me bashkëpunimin dhe asistencën reciproke mbi çështjet doganore, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi më 08.11.2009.
- Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Çështjeve Rurale dhe Detare të Mbretërisë së Spanjës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Shqipërisë, në fushën e bujqësisë, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
- Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë të Mjedisit, Çështjeve Rurale dhe Detare të Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat, nënshkruar më 02.07.2010, hyrë në fuqi 04.05.2011.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, nënshkruar në 17.2.2015, hyri në fuqi në 11.9.2015.
- Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrisë së Zhvillimit Urban të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit të Mbretërisë së Spanjës në lidhje me urbanistikën dhe rregullimin e territorit, nënshkruar në 24.3.2015.
- Protokoll ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian mbi pranimin e personave me qëndrim të paautorizuar, nënshkruar në 5.4.2018
- Marrëveshja për Lehtësimin e Bashkëpunimit Juridik, e nënshkruar në 4 tetor 2021 midis Kryeministrit të Shqipërisë z.Edi Rama dhe Kryeministrit të Spanjës z.Pedro Sanchez.
- Memorandum Mirëkuptimi për Arsimin e Lartë i nënshkruar në 4 tetor 2021.
- Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim mes Ministrisë së Financave, Departamentin për Menaxhimin e Pronave Shtetërore, të Spanjës me Korporatën Shqiptare të Investimeve, nënshkruar më 20.05.2025, në Madrid.
- Memorandum Mirëkuptimi në fushën e shëndetësisë mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Ministrisë së Spanjës, nënshkruar në shkurt 2026.



