Më datë 17 mars 2026, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Madrid, Mbretëria e Spanjës.
Ministri Hoxha u prit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit nga homologu i tij José Manuel Albares Bueno.
Ndërsa shënojmë 40-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona dypalëshe, Ministri Ferit Hoxha theksoi se “në takim rikonfirmuam se bashkëpunimi ynë politik, ekonomik dhe kulturor vijon të jetë një shtyllë e fortë e një partneriteti të qëndrueshëm.”
“Njëherazi, ramë dakord se ekziston një potencial i konsiderueshëm ende i pashfrytëzuar në marrëdhëniet tona, të cilin jemi të përkushtuar ta zhvillojmë më tej—veçanërisht në tregti, turizëm, energji të qëndrueshme dhe fusha të tjera me interes dhe përfitim të ndërsjellë”, tha Ministri Hoxha.
Ministri Albares shprehu vlerësimin për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, duke ritheksuar mbështetjen e vendit të tij ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për perspektivën e saj evropiane.
Ministri José Manuel Albares Bueno theksoi se Spanja si vend anëtar i BE-së është e gatshme që përveç mbështetjes politike për integrimin evropian, t’i ofrojë Shqipërisë edhe mbështetje të mëtejshme, të nevojshme, teknike në këtë proces.
Të dy ministrat u ndalën më tej edhe në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, me fokus të veçantë në potencialin e industrisë së turizmit për të dyja vendet, rritjen e mëtejshme të investimeve spanjolle në këtë sektor.
Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Spanjë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vizitoi Senatin e Spanjës, ku u takua me Zëvendëskryetarin e Parë, z. Javier Maroto, Kryetaren e Komisionit për Punët e Jashtme, znj. Pilar Rojo Noguera, si dhe me anëtarë të Senatit në Madrid. Në takim u zhvilluan diskutime të thelluara mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe ecurinë e negociatave të Shqipërisë si dhe u rikonfirmua angazhimi i përbashkët për një proces anëtarësimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë. Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës, ndërsa u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi marrëdhëniet transatlantike dhe rolin në rritje të diplomacisë parlamentare.
Link: https://x.com/hoxhafer/status/2033935470980173980?s=46
Link: https://x.com/hoxhafer/status/2034177420819845577?s=46





