Marrëdhëniet Shqipëri-Spanjë
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjë janë shumë të mira dhe karakterizohen nga shkëmbimet në të gjitha sektorët. Ka dëshirë, vullnet dhe arsye që këto marrëdhënie të përmirësohen vazhdimisht në të ardhmen.
Të dyja vendet ndajnë vlera të përbashkëta humane dhe demokratike.
Shqipëria është vend kandidat për Bashkimin Evropian, në të cilin Spanja është vend anëtar. Në këtë proces, i cili është prioritet strategjik për Shqipërinë, mbështetja e Spanjës ka qenë e vazhdueshme dhe aktive. Pavarësisht krahëve politikë, qeveritë spanjolle kanë qenë përherë pro evropiane dhe në favor të proceseve të zgjerimit të Unionit.
Të dyja vendet janë anëtare të NATO. Në kuadër të Aleancës bashkëpunojnë intensivisht me njëra tjetrën.
Si Shqipëria po ashtu dhe Spanja janë vende mesdhetare, ndajnë një hapësirë historikisht shumë të rëndësishme dhe interesa të njëjta në këtë rajon. Me ndikimin e saj pozitiv historik, Spanja ka një rol të rëndësishëm në intensifikimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Mesdheut dhe Unionit Mesdhetar.
Historiku
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës kanë zanafillën e tyre në njohjen reciproke në 27.8.1922. Në prill 1929 Spanja hapi legatën e saj në Tiranë. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste marrëdhëniet u ndërprenë dhe Spanja mbylli legatën e saj në Tiranë.
Gjatë periudhës kur të në dyja vendet ishin nën regjime diktatoriale, të dyja palët nuk treguan dëshirë për të bashkëpunuar. Kontaktet dhe përpjekjet për rivendosjen e marrëdhënieve u gjallëruan në vitet “80 dhe përfundimisht u finalizuan më 12 shtator 1986. Ambasadori spanjoll (me seli në Romë) ka paraqitur letër kredencialet në dhjetor të 1986 dhe në prill të vitit 1987 është akredituar ambasadori i parë shqiptar në Madrid, me rezidencë në Paris.
Në kuadrin e vendosjes së kontakteve të para mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme, në qershor të 1987 zhvilloi një vizite pune në Shqipëri, Zv/Drejtori i Evropës në MPJ-në spanjolle, z. De Fuente.
Më datat 1-4 nëntor 1989 një delegacion ministerial shqiptar, kryesuar nga Ministri i Jashtëm, Reis Malile realizoi një vizitë zyrtare në Madrid, gjatë së cilës u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit kulturor, arsimor e shkencor.
Me rënien e regjimit diktatorial në Shqipëri edhe marrëdhëniet mes dy vendeve filluan të intensifikohen me shpejtësi dhe dy palët treguan vullnet të mirë për t’u afruar dhe bashkëpunuar ngushtë në vazhdimësi.
Në maj 1992, Kryetari i Kryesisë së Kuvendit Popullor, z. Pjetër Arbnori, i ndodhur në Madrid për një Konferencë Ndërkombëtare, u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Senatit dhe Ministri i Jashtëm. Më 1 deri më 3 nëntor 1993, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Alfred Serreqi kreu një vizitë zyrtare në Spanjë, ku u takua me homologun e tij, z. Javier Solana.
Shqipëria mori vendimin të hapë në Spanjë ambasadën e saj të parë. Më 22 qershor 1995, Ambasadori i parë shqiptar rezident në Madrid, Zef Simoni paraqiti Letër Kredencialet para Mbretit Juan Carlos I.
Më 5 korrik 1995 (një muaj pas hapjes së Ambasadës shqiptare në Madrid) vizitoi Spanjën, Zv/Ministri i Punëve të Jashtme, z. Arjan Starova.
Për periudhën 1997-2001, shkëmbimet politike kanë qenë intensive dhe kanë pasur si kulme vizita pune në nivele Kryeministrore, si vizita e Kryeministrit Jose Maria Aznar në Tiranë në 1999 dhe Kryeministrit Ilir Meta në Madrid në vitin 2000.
Në 2001, Ministrja e Jashtme Arta Dade vizitoi Spanjën dhe po këtë vit u nënshkrua “Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit” mes dy vendeve tona. Traktati u firmos nga Ministrja e Jashtme Arta Dade dhe nga pala spanjolle nga Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane, Ramon de Miguel.
Në 2003, Ministri i Jashtem Ilir Meta u takua në Madrid me homologen e tij Ana Palacio. Gjatë kësaj vizite nënshkruhet edhe “Marrëveshja e Mbrojtjes dhe Nxitjes së Investimeve Reciproke” si dhe Memorandumi i bashkëpunimit për Çështjet Evropiane mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme. Po në këtë vit, Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane Ramon de Miguel nënshkroi në Tiranë “Marrëveshjen në fushën e asistencës për Integrimin Evropian”.
Në 2004, Kryeministri Fatos Nano zhvilloi dy vizita pune në Spanjë. Në muajin shkurt u prit nga Kryeministri Jose Maria Aznar dhe në korrik Kryeministri i ri i Spanjës, Zapatero dhe Ministri i Jashtëm Moratinos. Gjatë këtij takimi Kryeministri Nano mori ftesën për t´iu bashkangjitur Proçesit të Barcelonës.
Në vitin 2005, u zhvilluan në Tiranë, konsultimet politike midis dy Ministrive të Jashtme. Më 1 korrik 2005 Spanja dërgon një diplomat të saj, pranë Ambasadës së Italisë, me mision përgatitjen e terrenit për hapjen e Ambasadës Spanjolle në Tiranë.
Në shkurt 2006, Ministri i Jashtëm Spanjoll, Miguel Angel Moratinos vizitoi Shqipërinë. Gjatë kësaj vizite u nënshkrua “Marrëveshja për Heqjen e Vizave për Pasaportat Diplomatike dhe të Shërbimit”.
Më 18 korrik 2006, Ambasadori spanjoll, rezident në Tiranë, z. Manuel Montobio de Balanzo paraqiti Letër Kredencialet tek Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi. Hapja e Ambasadës shënoi një etapë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Më 20 korrik 2007, Ministri i Jashtëm Lulzim Basha zhvilloi një vizitë zyrtare në Madrid, ku u nënshkruan “Memorandum Bashkëpunimi midis dy Qeverive”, “Memorandum Mirëkuptimi midis dy MPJ-ve”, si dhe Programi i Bashkëpunimit arsimor dhe kulturor për vitet 2007-2009″.
Në tetor 2008, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, zhvilloi një vizitë në Madrid. Gjate kësaj vizite Komisioni i Jashtëm i Parlamentit spanjoll miratoi me unanimitet Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë ne NATO.
Në vitin 2009, Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Në vitin 2010, gjashtë mujorin e parë të saj, Spanja mbante Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, u intensifikuan më tej marrëdhëniet dypalëshe. Duhet theksuar se gjatë Presidencës spanjolle u mor vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Në këtë arritje të madhe për shqiptarët Spanja luajti një rol mjaft të rëndësishëm, mbështetës.
Gjatë dekadës 2010 / 2020 marrëdhëniet dypalëshe kanë vazhduar të intensifikohen dhe janë karakterizuar vazhdimisht nga një frymë bashkëpunimi e ndërsjellët. Mund të veçojmë Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, hyrë në fuqi në 2015; Memorandumin e Mirëkuptimit midis Ministrisë së Zhvillimit Urban të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit të Mbretërisë së Spanjës në lidhje me urbanistikën dhe rregullimin e territorit në 2015; si dhe Protokollin ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian mbi pranimin e personave me qëndrim të paautorizuar, nënshkruar në 2018.
Në 1 shkurt 2021, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka zhvilloi një VTC me Ministren e Jashtme të Spanjës, Gonzalez Laya gjatë së cilës u konfirmua mbështetja e plotë e Spanjës për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për mbajtjen e KINQ me Shqipërinë.
Marrëdhëniet dypalëshe kulmuan më datë 4 tetor 2021 kur kryeministri, z. Edi Rama, zhvilloi në Madrid vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit të Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, z. Pedro Sanchez. Një vizitë historike në llojin e saj, duke qënë se ishte e para vizitë zyrtare e një Kryeministri shqipëtar në Spanjë.
Në takimin mes të dy kryeministrave u shpreh mbështetja e plotë që Spanja i jep Shqipërisë për integrimin e saj të shpejtë në Bashkimin Evropian. U shpreh po ashtu dëshira për t’i thelluar edhe më tej cilësisht marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona. Dy kryeministrat firmosën dy marrëveshje dypalëshe: Marrëveshje për Lehtësimin e Bashkëpunimit Juridik dhe Memorandum Mirëkuptimi për Arsimin e Lartë.
Marrëdhëniet Ekonomike
Shqipëria ka mirëpritur gjithmonë një prani më të madhe të Spanjës në rajonin dhe vendin tonë. Infrastruktura, energjia, teknologjia dhe investimet produktive janë ndër fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit midis dy vendeve. Vlerësojmë faktin që ka një rritje të shkëmbimeve tregtare mes vendeve tona. Që nga Janari 2020, veçanërisht përsa i përket eksporteve, Spanja rezulton të jetë një ndër vendet me rritjen më të lartë të eksporteve me Shqipërinë krahasuar me janarin 2019, me 69.7%. Këto shifra e bëjnë Spanjën vendin e pestë të destinacionit të eksporteve tona: kryesisht karburantet, konfeksionet dhe fasonët.
Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar Tregtar (NBC Qershor 2018) janë 33 biznese spanjolle që operojnë në Shqipëri nga të cilat 7 janë në pronësi të përbashkët.
Turizmi, Kultura dhe Arsimi
Turizmi është një tjetër fushë që na bashkon me Spanjën për shkak të natyrës gjeografike dhe kulturore të dy vendeve dhe është një fushë ku bashkëpunimi ka qënë gjithmonë në rritje. Përfaqësues të disa rrjeteve të famshme hotelerie janë në bashkëpunim me Shqipërinë dhe kanë investuar projekte të rëndësishme në Shqipëri.
Gjuha spanjolle, ligjërisht, përfshihet në gjuhët kryesore të huaja që njihen në sistemin e formimit universitar dhe akademik në vendin tonë. Nxitja e aktiviteteve kulturore mes dy vendeve është inkurajuar dhe mirëpritur nga të dy palët. Prej disa vitesh, janë zhvilluar kurse spanjolle dhe janë organizuar aktivitete të ndryshme kulturore. Aktualisht pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë ka një departament të gjuhës spanjolle.
Gjatë vizitës së Kryeministrit Rama dhe delegacionit Shqiptar më 4 tetor 2021, një takim me interes të veçantë ishte ai me Ministrin e Universiteteve, z. Manuel Castells Oliván, qëllimi i të cilit ishte marrja e ekspertizës më të mirë dhe mbështetjes për Universitetet Shqiptare, si dhe fillimi i shkëmbimeve mes Universiteteve. Në shërbim të këtij objektivi u nënshkrua dhe Memorandumi i Mirëkuptimit për Arsimin e Lartë.
Bashkëpunimi me Spanjën në Organizata Ndërkombëtare
Shqipëria dhe Spanja kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme njëra tjetrës në kuadër të organizmave ndërkombëtare. Ky bashkëpunim ka qenë konkret dhe është inspiruar nga vlerat e përbashkëta humane e demokratike që ndajnë të dy vendet.
Bashkëpunimi ishte mjaft i ngushtë gjatë Presidencës së Shqipërisë në OSBE, 2020. Bashkëpunimi do të jetë i vazhdueshëm dhe intensiv gjatë mandatit dyvjeçar 2022-2023 të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, si anëtar jo permanent.
Marrëveshjet Dypalëshe
- Marrëveshje për bashkëpunimin kulturor dhe arsimor ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 25.11.1999, hyrë në fuqi më 03.10.2000.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave dhe udhëtarëve, nënshkruar më 27.06.1999, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit. (shfuqizuar)
- Program bashkëpunimi financiar shqiptaro-spanjoll ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 02.02.2000, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Traktati i fqinjësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 22.11.2001.
- Marrëveshje për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 05.06.2003, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Program bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 13.06.2003, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës për Transportin Ndërkombëtar rrugor të mallrave dhe udhëtarëve, nënshkruar më 10.04.2003, hyrë në fuqi më 25.06.2004.
- Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 27.07.2005, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës mbi heqjen reciproke të vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit, nënshkruar më 06.02.2006, zbatohet nga data 09.03.2006.
- Marrëveshje e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Institutit të Kredisë Shtetërore të Mbretërisë së Spanjës për projektin e ripërtëritjes së rrjetit elektrik të shpërndarjes Fier, nënshkruar më 25.10.2005 për palën tonë dhe për palën spanjolle më 20.11.2005, ratifikuar me ligjin nr. 9451, datë 15.12.2005.
- Memorandum ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 20.07.2007, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës për programin e bashkëpunimit dypalësh 2007-2010, nënshkruar më 19.07.2007, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës mbi ushtrimin e lirë të aktiviteteve të paguara për personat në ngarkim të personelit diplomatik, konsullor, administrativ dhe teknik të misioneve diplomatike dhe konsullore, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi më 15.08.2012.
- Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi më 30.04.2010.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës lidhur me bashkëpunimin dhe asistencën reciproke mbi çështjet doganore, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi më 08.11.2009.
- Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Çështjeve Rurale dhe Detare të Mbretërisë së Spanjës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Shqipërisë, në fushën e bujqësisë, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
- Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë të Mjedisit, Çështjeve Rurale dhe Detare të Mbretërisë së Spanjës, nënshkruar më 20.05.2009, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat, nënshkruar më 02.07.2010, hyrë në fuqi 04.05.2011.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, nënshkruar në 17.2.2015, hyri në fuqi në 11.9.2015.
- Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrisë së Zhvillimit Urban të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit të Mbretërisë së Spanjës në lidhje me urbanistikën dhe rregullimin e territorit, nënshkruar në 24.3.2015.
- Protokoll ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian mbi pranimin e personave me qëndrim të paautorizuar, nënshkruar në 5.4.2018
- Marrëveshja për Lehtësimin e Bashkëpunimit Juridik, e nënshkruar në 4 tetor 2021 midis Kryeministrit të Shqipërisë z.Edi Rama dhe Kryeministrit të Spanjës z.Pedro Sanchez.
- Memorandum Mirëkuptimi për Arsimin e Lartë i nënshkruar në 4 tetor 2021.