
Me ftesë të Ministrit Federal të Republikës së Austrisë për Kushtetutën, Reformën, Derregullimin dhe Drejtësinë, Z. Josef Moser, 28 shkurt - 1 mars zhvilloi vizitë zyrtare në Austri Ministre e Drejtësisë, Zj. Etilda Gjonaj.
Gjatë bisedimeve zyrtare zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, Ministre Gjonaj informoi me detaje mbi ecurinë e procesit të reformave në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, progresin e arritur si dhe sfidat me të cilat përballet kjo reformë, e cila synon pastrimin e sistemit, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe eleminimin e influencave politike. Ajo vuri në dukje rolin e rëndësishëm që ka luajtur Austria në mbështeje të këtyre reformave dhe falenderoi qeverinë austriake dhe Ministrin Moser për angazhimin e tij institucional dhe personal në këtë proces.
Ministri Moser falenderoi për ekspozenë e detajuar dhe shprehu kënaqësinë e veçantë dhe vlerësimin e lartë për suksesin e arritur deri tani në reformën e gjyqësorit shqiptar. Ndër të tjera ai tha se është treguar një kurajo e admirueshme në angazhimin për një reformë kaq të thellë por të domosdoshme dhe domethënëse për funksionimin e shtetit ligjor. Me këtë reformë, tha ai, Shqiperia ka hedhur një hap të sigurtë drejt afrimit më tej me Bashkimin Evropian.
Në vijim të përfundimit me sukses të bisedimeve, Ministrat Moser dhe Gjonaj nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi mbi bazën e të cilit institucinonalizohen më tej marrëdhëniet e Shqipërisë me Austrinë dhe forcohet mbështetja e Austrisë për vazhdimin me sukses të reformes së sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Në ditën e parë të vizitës në Austri, Ministrja Gjonaj zhvilloi bisedime në selinë e Gjykatës Kushtetuese të Austrisë me Presidenten e kesaj gjykate Dr Brigitte Bierlein si dhe me Presidenten e Gjykates Supreme Zj. Elisabeth Levorek. Bashkëbiseduesit austriake, pasi u njohën nga afër me punën e bërë në vendin tonë lidhur me reformën në drejtësi, shprehën mbështetjen e tyre dhe të institucioneve që ato drejtojnë si dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim eksperience.
Gjatë qëndrimit të saj në Vjenë, Ministrja Gjonaj ishte e ftuara e nderit dhe mbajti fjalen kryesore, "Reforma e Drejtësisë në Shqipëri, suksese dhe sfida", organizuar nga Ambasada Vjenë në bashkëpunim me kompaninë “Austriaa Economic Development”.
Në këtë aktivitet morën pjesë juristë, përfaqësues të kompanive juridike në Austri, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, të Ministrisë së Drejtësisë, Dhomës Ekonomike, të Organizatave Ndërkombëtare, gazetarë, etj.