Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori pjesë në punimet e Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e delegacionit të Republikës së Shqipërisë kryesuar nga Kryeministri z. Edi Rama, në të cilin bën pjesë edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj.
Ky samit, i cili zhvillohet në vijim të Samitit të Berlinit të vitit të kaluar, synon avancimin e agjendës së ndërlidhjes infrastrukturore, rrugore dhe energjetike, midis vendeve të rajonit dhe BE-së, thellimin e bashkëpunimit për çështje që kanë të bëjnë me arsimimin, kualifikimin, punësimin dhe lëvizshmërinë e rinisë, trajtimin e problematikës në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe të sfidave me të cilat përballen bashkërisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE.
Në ditën e parë të aktiviteteve në Vjenë, kushtuar rolit të shoqërisë civile, Ministri Bushati mori pjesë në punimet e sesionit të parë ku u diskutua mbi temën "Roli i BE-së në zgjidhjen e problematikave dypalëshe në Ballkanin Perëndimor që prekin të ardhmen e proceseve integruese".
Në fjalën e tij, Ministri Bushati evidentoi se: "Çështjet bilaterale në të shkuarën kanë ngadalësuar ose kanë penguar procesin e anëtarësimit duke vënë në dyshim besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e këtij procesi. Për të shmangur të gjitha paqartësitë është e domosdoshme që trajtimi i çështjeve bilaterale të bëhet në fazë të hershme, duke kombinuar mekanizmat e zgjidhjes me instrumente nxitës, duke përfshirë instrumente mbështetës për zhvillimin ekonomik."