Më 10 prill, në Parlamentin Evropian, u shfaq dokumentari “Fluturat”, i regjisorit të mirënjohur shqiptar, z.Bujar Alimani. Dokumentari trajton historitë e 21 grave, të cilat kanë jetuar një pjesë te jetës së tyre në kampin e internimit në Gradisht të Lushnjes.
Në fjalën e tij, Ambasadori Ferit Hoxha, duke vlerësuar projektin e regjisorit, z.Alimani, si kontribut që i jep zë guximit, qëndrueshmërisë dhe forcës së këtyre grave, theksoi gjithashtu përgjegjësinë që shoqëritë kanë në ndërtimin e historisë përmes përcjelljes së kujtimeve, e cila është thelbësore për shoqërinë shqiptare, në zbardhjen e pothuajse 5 dekadave të regjimit komunist.
Në Shqipërinë e tre dekadave më vonë, tha Ambasadori, të gjithë jemi ndryshe, edhe bota rreth nesh është ndryshe, Shqipëria po transformohet thellësisht me ritme të shpejta. Dëshmi e këtij ndryshimi ishte çmimi evropian i një dite më pare, për kryebashkiaken e Lushnjës, qyteti ku ndodhej kampi i internimit, për punën e jashtëzakonshme të autoriteteve lokale për të ndihmuar komunitetin rom.
Shqipëria e projektuar natyrshëm drejt së ardhmes, e ka thelbësisht të rëndësishme që të analizojë të kaluarën me durim dhe vendosmëri, sepse nëse diktatura nuk ekziston më, dhimbja që shkaktoi nuk është zhdukur plotësisht dhe është detyra jonë të nxjerrim mësimet e duhura për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.
Eventi, u organizua nën kujdesin e eurodeputetit belg, Olivier Chastel, aktivistes politike, znj. Kristela Bytyçi, në bashkëpunim me Ambasadën e RSH-së në Belgjikë.