Ambasada e RSh-së në Bullgari në bashkëpunim me Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Dega e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes organizuan një aktivitet me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Katerdrës së Gjuhës Shqipe. Me këtë rast dhe në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit shqiptar Thoma Kacori u promovua dhe studimi monografik “Shkrimtari shqiptar Thoma Kacori në Bullgari, jeta dhe vepra”, i Prof. Rusana Bejleri dhe vajzës së saj, Liljana Berjleri.
Pjesë e këtij aktiviteti të rëndësishëm kushtuar punës së Katedrës dhe një prej ligjëruesve të parë të gjuhës shqipe në Bullgari ishin akademikët Floresha Dado dhe Shaban Sinani nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, stafi i Ambasadës së Kosovës dhe studentët e gjuhës shqipe.
Në fjalën e tyre përshëndetëse, ambasadorja Donika Hoxha, profesorët e gjuhës shqipe dhe akadamikët vunë në pah rëndësinë e evidentimit të punës së shkrimtarit, studiuesit dhe atdhetarit Kacori, i cili është dhe themeluesi i kurseve të para të gjuhës shqipe. Ambasadorja Hoxha theksoi se përkushtimi dhe puna e tij janë transmetuar tek breza të ndryshëm dhe jashtë Bullgarisë. Sipas saj, ruajtja e traditës së mësimit të gjuhës shqipe paraqet një rëndësi të madhe dhe vlerësoi punën e profesorëve dhe studentëve.
Akademikët Dado dhe Sinani u ndalën në rolin e veprimtarisë së Kacorit dhe traditën e pasur të trashëguar. Prof. Petya Asenova, një nga studentet e para të Kacorit, i kushtoi vëmendje më të gjerë punës dhe përkushtimit të tij për gjuhën shqipe duke treguar histori të jetës studentore.