Lajthiza Invest sh.a nga Shqipëria ishte fituesja më e madhe në Balkan Business Awards 2022, organizuar nga VIP Communication. Kompania shqiptare fitoi çmimet Lider në Mbrojtjen e Mjedisit dhe Çmimin e Madh për Biznesin më të Mirë në Ballkan, Punëdhënësi më i Suksesshëm. Ndërkohë, ADA Construction nga Kosova mori çmimin Lider në Distribucion.
Kjo është hera e parë në 8 edicionet e këtij konkursi, që një kompani shqiptare rrëmben 2 çmime.
Lajthiza Invest sh.a., themeluar në vitin 1999, ka investuar në një zonë të thellë malore në veri-lindje të Shqipërisë, në fshatin Lajthizë, Pukë, me fabrikën e saj për prodhimin dhe paketimin e ujit natyror. Fabrika e ujit mineral natyral Lajthiza ndodhet në lartësinë 1200 m mbi nivelin e detit, ndërsa uji i burimit rrjedh nga një masiv malor në 1600 m mbi nivelin e detit. Uji i Lajthizës buron nga mali i Roshit, i cili ndodhet në një zonë të rrethuar tërësisht nga male dhe filtrohet natyrshëm nga shkëmbinjtë magmatikë. Ky ujë është i ndryshëm nga të tjerët për shkak të cilësisë së tij të veçantë dhe vlerave të veçanta, që gëzon struktura ujore e Lajthizës.