Fjala e Ambasadores Donika Hoxha me rastin e inaugurimit të Këndit të Shqipërisë në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë:
E nderuara zonja Drejtoreshë, Shkëlqesi, folës të gjuhës shqipe, zonja dhe zotërinj,
Mirëdita! Kam kënaqësinë e madhe t'ju uroj mirëseardhje të gjithëve në këtë eveniment domethënës. Për mua është gjithmonë kënaqësi të punoj me një institucion kaq të mrekullueshëm si Biblioteka Kombëtare, e cila ruan një trashëgimi dijeje. Në të vërtetë, ajo mbron, ndër të tjera, abetaren e parë të gjuhës shqipe të botuar në Sofje më 1899. Ky fakt më kthen në marrëdhëniet e vjetra dhe miqësinë tradicionale me Bullgarinë. Bullgaria ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Shqipërisë, dhe më parë ajo mbështeti kauzën e saj. Shumë patriotë shqiptarë të Rilindjes gjetën strehë në Bullgari për të kryer veprimtarinë e tyre patriotike për pavarësinë e atdheut të tyre.
Nuk mendoj se dikush mund të dyshojë seriozisht se gjuha shqipe flitet më gjerësisht se sa flitej 110 vjet më parë – apo edhe 30 vjet më parë. Ka plot arsye për këtë. Njerëzit sot, shqiptarët në këtë rast janë më të lëvizshëm – zhvendosen në vende të reja në kërkim të një karriere të re, një eksperience të re, një stili tjetër jetese. Një nga faktet më interesante shqiptare është se 10 milionë shqiptarë të tjerë jetojnë jashtë kufijve të vendit. Kjo është pjesë e procesit të globalizimit. Megjithatë, përveç mësimit të një gjuhe të re ose të folurit në gjuhën kryesore për komunikim ndërkombëtar, ata vazhdojnë të kultivojnë identitetin dhe gjuhën e tyre. Ne u detyrohemi atyre një falenderim të madh për ruajtjen dhe përcjelljen e rrënjëve të tyre nga një brez në tjetrin.
Një fakt i rëndësishëm është gjithashtu se gjuha shqipe, një nga gjuhët më të lashta në botë, mësohet në universitete këtu në Bullgari. Çdo vit rreth 60 studentë mësojnë gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën shqipe në Universitetin e Sofjes. I jemi mirënjohës profesorëve të gjuhës shqipe në këtë universitet për angazhimin e studentëve në aktivitete kuptimplote dhe uroj që hapja e këtij këndi të sigurojë një mjedis të pasur mësimor gjuhësor.
Zonja dhe zoterinj,
Ky nuk është një kënd simbolik. Ai përmban më shumë se 550 vëllime në gjuhën shqipe dhe më shumë se 700 vëllime që flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët. 350 vëllime në dy kopje që i referohen traditave, veshjeve, kulturës, historisë shqiptare si dhe zhvillimit të jetës shoqërore të shqiptarëve, kanë pasuruar më tej fondin tashmë ekzistues të bibliotekës. Ato janë dhuruar së fundmi nga Akademia e Albanologjisë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Ne dëshirojmë që studentët, studiuesit dhe njerëzit shqipfolës t'i përdorin më shumë këto materiale dhe të mësojnë më shumë për vendin e quajtur Shqipëria.
Zonja dhe zoterinj,
Siç mund ta shihni, në këtë dhomë jemi të rrethuar nga fotografi të mrekullueshme që tregojnë ngjyrat tona, “Ngjyrat e shqiptarëve”. Këto janë fotografi nga një konkurs dixhital i organizuar nga Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, qëllimi bazë i të cilit nuk ishte thjesht përfshirja e të rinjve dhe të rejave, njerëz pa tipare dalluese në një konkurs ku secili prej tyre kishte mundësinë të bënte një foto, e sigurisht jo nga ato fotot profesionale që jemi mësuar t'i shohim, por fotot që dëshmojnë për bukuritë tona si komb. Fotot që kemi përzgjedhur janë disa nga fotot fituese të këtij konkursi, i cili edhe vitin e kaluar kishte një temë të veçantë “Gjurmë Identiteti”, përmes së cilës jemi përpjekur të vëmë përballë të tashmen dhe të shkuarën.
Ju ftojmë t'i hidhni një sy, ndërsa ju falënderojmë të gjithëve për praninë tuaj sot këtu. Dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast dhe të falënderoj në mënyrë të veçantë drejtoreshën Alexandrova dhe stafin e saj, mbështetja e të cilëve për Ambasadën e Shqipërisë dhe mua nuk ka munguar kurrë.
Ju falënderoj përsëri.