Më 18-22 nëntor 2024, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kanada, me ftesë të homologut të saj kanadez. Delegacioni parlamentar përbëhej nga z. Agron Gjekmarkaj, Zëvendëskryetar i Kuvendit dhe z. Eduard Ndreca, anëtar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kanada.
Gjatë vizitës znj. Nikolla vizitoi Dhomën e Deputetëve ku u prit dhe zhvilloi bisedime me z. Greg Fergus, Kryetar i Dhomës së Komunëve të Kanadasë si edhe Anëtarë të Parlamentit, përfshirë ata të Komitetit të Politikës së Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar, si edhe të Grupit Parlamentar të Miqësisë. Gjatë këtij takimi, u bisedua mbi bashkëpunimin e shkëlqyer e intensive mes Kuvendit dhe Dhomës së Komunëve, si nxitës për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Kanadaja është një mike dhe partnere e cmuar në NATO, OSBE, OKB, sidomos vitet e fundit kur Shqipëria shërben si anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe prej 10 tetorit edhe si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Të dy vendet tona bashkëpunojnë për luftën kundër terrorizmit, sigurinë kibernetike, mbështetjen e Izraelit përballë sulmeve të Hamasit, të Ukrainës përballë agresionit të Rusisë, dhe ndihmën ndaj refugjatëve afganë. Kryetari Fergus vlerësoi lidershipin e fortë të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në NATO.
Shqipëria dhe Kanadaja bashkëpunojnë gjithashtu për mbrojtjen e stabilitetit e integritetit të Kosovës dhe nxitjen e dialogut me Serbinë, mbështetur në zgjidhjet e ofruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Nikolla, informoi homologun Fergus mbi Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe lidershipin e kontributin e Shqipërisë në integrimin rajonal.
Duke vlerësuar Kanadanë si një investitor i rëndësishëm në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit sugjeroi shtimin e investimeve kanadeze në sektorët e energjisë, minierave, bujqësisë, digjitalizimit, mbrojtjes kibernetike etj.