Kanada, 7 Mars 2018 - Ministri i Shtetit për Diasporën Z. Pandeli Majko filloi një vizitë pune në Kanada ku zhvilloi takime me autoritete të ndryshme të shtetit kanadez dhe pati mundësi të takojë gjithashtu edhe komunitetin shqiptar në Kanada. Në takimet e zhvilluara me përfaqësuesit e “Bashkësisë Shqiptare Kanadeze” dhe Shoqatës së Shqiptarëve të Hamiltonit, Ministri e cilësoi diasporën në Kanada si një fenomen, për shkak të grumbullimit të madh të intelektualëve dhe vlerësoi modelin e integrimit të shqiptarëve atje, si një prej më te suksesshmëve. Ministri u njoh me projektin për ngritjen e “Shtëpisë së Shqiptarit’, qendra që do t’i dedikohet aktiviteteve kulturore e gjithashtu mësimit të gjuhës shqipe. Z. Majko informoi të pranishmit lidhur me hapat e ndërmarrë në bashkëpunim me Kosovën, për ta trajtuar komunitetin shqiptar si një të tërë. U fol për marrëveshjet dypalëshe lidhur me diasporën, si ato për hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore në të gjithë boten dhe për fushën e arsimit.
Ndërkaq, në takimin me kreun e Asamblesë Legjislative të Ontarios z. Dave Levac, Ministri vlerësoi përfshirjen e gjuhës shqipe në programin shkollor në këtë rajon dhe kërkoi shtrirjen e këtij standardi kudo ku jetojnë shqiptarët në Kanada. Z. Levac shprehu gatishmërinë e tij për të mundësuar një dialog konstruktiv me autoritete e rajoneve të tjera por edhe me ato të qeverisë federale. U fol gjithashtu për bashkëpunime mes universiteteve të të dyja vendeve për programe të shkëmbimit studentor.
Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës organizuan një pritje në nder të dy Ministrave të Diasporës, z. Pandeli Majko dhe z. Dardan Gashi dhe gjithashtu përfaqësuesëve të komunitetit shqiptar në Ontario. Të ftuar në pritjen e zhvilluar në ambjentet e parlamentit të Ontarios ishin znj. Laura Albanese, Ministre për Emigracionin, Kreu i Asamblesë Legjislative z. Dave Levac, z. Reza Moridi, Minister i Shkencës dhe Inovacionit në qeverinë lokale, z. Shafiq Qadri, deputet dhe mik i komunitetit shqiptar etj. Znj. Albanese, mbështetëse e fortë e ligjit për mbrojten e trashëgimisë kulturore shqiptare vlerësoi kontributin e komunitetit tonë, duke e cilësuar atë si një vlerë të shtuar të shoqërisë kanadeze. Të ftuarit vizituan më pas ekspozitën fotografike të mundësuar nga Ambasada e Shqipërise. E çelur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ekspozita kishte në qendër gruan shqiptare përgjatë dekadave.
Tërheqja e investimeve kanadeze në Shqipëri ishte në fokus të bisedimeve të zhvilluara mes Minstrit Pandeli Majko dhe drejtorit ekzekutiv të Këshillit të Bizneseve Kanadezo-Shqiptare Robert Baines, njëkohësisht president i NACO (Nato Association of Canada). Gjatë takimit u fol për rolin e rëndësishëm të Keshilleve të Biznesit në krijimin e lidhjeve të qëndrueshme mes vendeve. Ndërsa përmendi arritjet e diasporës shqiptare në Kanada, z. Baines tha se po punohej për orientimin e bizneseve shqiptaro-kanadeze drejt Shqipërisë. Ministri Majko nga ana e tij e njohu zyrtarin me hapat e ndërmarrë në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës për të mundësuar një qasje më të efektshme ndaj të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Në Hamilton, z. Majko vizitoi edhe ambjentet e biznesit të suksesshëm shqiptar Pro-Don Construction Inc, i specializuar në ndërtime druri.
Në takimin me përfaqësuesit e organizatës së themeluar nga shqiptarë “RH Scholarship” , e cila ka si qëllim mbështetjen e ekselencës akademike përmes bursave, u diskutua për mundësinë e shkëmbimit të studentëve mes dy vendeve.
Roli i profesionistëve të suksesshëm në zhvillimin e Shqipërisë, ishte në qendër të diskutimeve në takimin që zhvilloi Ministri i Shtetit për Diasporën me ‘Albanian Canadian Excellence Society’ . Shoqata ku bëjnë pjesë profesionistë të rinj të suksesshëm, plotësisht të integruar në shoqërinë kanadeze, ka si mision promovimin dhe njohjen e ekselencës brenda komunitetit shqiptar. Në takimin e zhvilluar në “The University Club of Toronto”, kryetari i shoqatës, z. Ilir Azizi, informoi Ministrin Majko dhe homologun e tij në Kosovë z. Dardan Gashi mbi vizionin dhe qëllimin e ACE. Ai foli shkurtimisht edhe për programet dhe arritjet e shoqatës së themeluar në vitin 2015. U përmendën gjithashtu aftësitë organizative te ACE sa i takon afirmimit, mbështetjes dhe forcimit të kapaciteteve profesionale të shqiptarëve në Kanada. Ndihma që mund t’i ofrojë grupi i profesionistëve Shqipërisë dhe bashkëkombasve të tyre, ishte një temë me interes të veçantë.
Ministri Majko dhe homologu i tij u shprehën të gatshëm për krijimin e kushteve që do të mundësojne një shfrytëzim sa më të mirë të kapitalit social. Ata prezantuan arritjet dhe planet e dy qeverive për të krijuar një strukturë të fortë mbështetëse për diasporën dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi. Në takim ishin të pranishëm edhe Ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Kanada, z. Ermal Muca dhe z. Lulzim Hiseni.