Më datë 1 shtator 2023, znj. Mélanie Joly, Ministre e Punëve të Jashtme të Kanadasë zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, në mikëpritjen e znj. Olta Xhaçka, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Kjo vizitë me rëndësi të veçantë kishte si qëllim thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe eksplorimin e potencialeve të reja për diversifikimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si: rritja e investimeve kanadeze në Shqipëri në fushën e energjisë, sigurisë së energjisë, minierave, menaxhimit të burimeve ujore, turizmit, bujqësisë, infrastrukturës, inovacionit, të të drejtave të njeriut, shkencës, arsimit, etj. Gjithashtu të dy ministret diskutuan mbi rëndësinë e riaktivizimit të Fondit Kanadez për Iniciativat Lokale me qëllim mbështetjen e programeve të ndryshme, përfshirë ato për të drejtat dhe fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore.
Në fjalën e saj, Ministrja Xhaçka vlerësoi kontributin e Ministres Joly në intensifikimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kanada dhe vëmendjen e shtuar të Kanadasë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, Ministrja Joly vlerësoi punën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe ritheksoi mbështetjen e Kanadasë në rrugëtimin evropian të vendit tonë.
Në përfundim të takimit, u mbajt dhe një konferencë për shtyp .
Vizita e Ministres së Jashtme kanadeze në Shqipëri vjen si pjesë e turit të saj në Evropë, që përfshin Slloveninë, Maqedoninë e Veriut dhe vendin tonë. Kjo është vizita e dytë e një Ministri të Jashtëm kanadez në Tiranë, në harkun kohor prej 9 vitesh.