Me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nën kujdesin e Ambasadës së RSH në Otava u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar në Asamblenë Legjislative të Ontarios në Queen’s Park.
Të pranishmit i përshëndeti z. Ermal Muça, Ambasadori i Shqipërisë në Kanada, z. Ted Arnott, Kryetar i Asamblesë Legjislative të Ontarios, znj. Kinga Surma, Ministre e Transportit, znj. Bhutila Karpoche, anëtare e parlamentit provincial, si edhe z. Ted Hsu, anëtar i parlamentit provincial. Mesazh urimi përcolli edhe z. Doug Ford, Kryeministër i Ontarios.
Ambasadori Muça ngriti flamurin shqiptar nën tingujt e Himnit Kombëtar, pasuar nga “O Canada”.
Ceremonia vijoi në ambientet e brendshme të Asamblesë Legjislative me rastin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare. Ansambli Shqiponjat e Vogla solli me mjeshtëri valle nga trojet shqiptare, ndërsa çifti i muzikantëve Qazim Kallushi dhe Entela Galanxhi performuan vepra nga kompozitorët shqiptarë.