Ministri Hasani: “Një hap i rëndësishëm që ndikon në zhvillimin e shpejtë ekonomik të Shqipërisë dhe rrugën integrimit në BE!”
24 Janar 2025 – Sot, në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është nënshkruar Marrëveshja e Vendit Pritës me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI). Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Z. Igli Hasani dhe Zëvendës Presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve Z. Robert de Groot.
Sipas Ministrit Hasani, ky është një hap i rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e shpejtë ekonomik të Shqipërisë dhe rrugëtimin e saj drejt integrimit në familjen e madhe evropiane. Ndër të tjera, ai u shpreh:
“Me Zëvendës Presidentin e BEI, nënshkruam Marrëveshjen e Vendit Pritës për hapjen e zyrës së BEI në Shqipëri, një iniciativë kyçe për të mbështetur zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së, si dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Hapja e kësaj zyre synon të maksimizojë mbështetjen financiare dhe teknike për projekte të rëndësishme, projekte të cilat BEI na ka mbështetur që prej vitit 1995. Që në fillimet e këtij bashkëpunimi, BEI ka mbështetur Shqipërinë dhe ndihemi mirë për këtë partneritet të fortë. Kontributi i Bankës reflektohet në fusha prioritare si modernizimi i infrastrukturës, nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe ç’është më e rëndësishmja, avancimi i agjendës evropiane të Shqipërisë. Shqipëria mbetet e angazhuar ndaj prioriteteve të saj zhvillimore në përputhje me fokusin e BEI. Jemi plotësisht të përkushtuar për të forcuar këtë partneritet, duke synuar rritjen ekonomike të vendit, forcimin e integrimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të Shqipërisë.”