Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, kryesoi debatin e nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të OKB, UN WOMEN, OSBE, BE etj.
Xhaçka theksoi se ngjarjet e fundit nëpër botë kanë ndikuar në mënyrë drastike në perspektivat për organizatat e grave, duke çuar edhe në ndërprerjen e angazhimeve konkrete për këtë agjendë.
“Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin dhe koordinimin me organizatat rajonale, zëri i tyre të dëgjohet në Këshillin e Sigurimit. Është koha, që ta çojmë bashkëpunimin tonë me organizatat rajonale në një nivel të ri. Veçanërisht jetik, është ky bashkëpunim në kontekstin e grushteve të fundit ushtarake dhe marrjes së pushtetit me forcë në disa vende, ku kemi qenë dëshmitarë të ndërprerjes së papritur të angazhimeve kombëtare për agjendën ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’, u shpreh kryediplomatja shqiptare.
I pranishëm në këtë debat, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ka një konsensus midis shteteve anëtare për rëndësinë e kësaj agjende, por se situata në terren po shkon në drejtim të kundërt.
“Arsyeja është e thjeshtë. Barazia e grave është çështje pushteti, bllokimet dhe konfliktet e sotme politike, janë vetëm shembujt më të fundit se sa fuqishëm po insistojnë për të na bërë të dështojmë”, deklaroi ai.
Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid, deklaroi se roli i grave në ndërtimin e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve, mbetet thelbësor në këto kohë sfiduese.
“OSBE po luan një rol jetik në këtë drejtim. Qasja jonë është tërësisht historike. Ne vendosëm lidershipin e grave në procesin e paqes, riorganizimit dhe bashkërendimit pas konfliktit”, tha ajo.
Për Ambasadoren e BE-së për çështjet gjinore dhe diversiteti, Stella Ronner-Grubačić, duhet më shumë vëmendje për të përfshirë pikëpamjet dhe pozicionet e grave në dialogun politik.
Drejtoresha Ekzekutive e UN Women, Sima Sami Bahous tha se në vendet në konflikt gratë e vajzat po ngrihen, duke rrezikuar jetën e tyre si udhëheqëse në komunitetet e tyre si kryefamiljare, si mbajtëse të paqes dhe ndërmjetësuese”.
Agjenda për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” është një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë gjatë punës së saj në Këshillin e Sigurimit.