Bushati-Alfano: “Rrjeti i Grave Ndërmjetësuese Mesdhetare” do kontribuojë për paqen dhe sigurinë në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati së bashku me homologun e tij Italian, Ministrin e Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Angelino Alfano dhe organizatën e Grave të OKB-së, UN Women, morën pjesë në aktivitetin “Rrjeti i Grave Ndërmjetësuese Mesdhetare – Nga letrat në praktikë”. Ministrat shfrytëzuan punimet e Asamblesë Parlamentare të OKB-së në New York për të zhvilluar këtë takim, i cili i paraprin lançimit në Romë, në fund të muajit tetor 2017, të Rrjetit Mesdhetar të Grave Ndërmjetësuese. 

Ministri i Jashtëm italian, Zv. Presidentja e UN Women, si dhe Këshilltarja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në proceset e ndërmjetësimit me bindjen se përpjekjet për paqe kërkojnë kontributin e të gjithëve, në mënyrë të veçantë të grave duke pasur parasysh rolin qendror të tyre në familje e shoqëri. Ata vunë në dukje se partneriteti për paqe përmes rrjeteve të ndryshme të ndërmjetësimit është i domosdoshëm për tejkalimin e sfidave me të cilat po përballet sot bota dhe në veçanti rajoni i Mesdheut.  Folësit parashtruan mënyra konkrete sesi rrjetet e grave ndërmjetësuese do kontribuojnë për paqen dhe sigurinë në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Ministri Bushati theksoi mbështetjen e Shqipërisë për krijimin e rrjetit dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm që këto rrjete ndërmjetësimi luajnë në disa rajone të botës e ku gratë janë protagoniste. Në zbatim edhe të rezolutave të KS të OKB-së për forcimin e rolit të grave në shoqëri për zgjidhjen e konflikteve, ministri shqiptar nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm që gratë mund të luajnë në përballjen me një sërë sfidash me të cilat ndeshet sot rajoni i Mesdheut. Duke iu referuar pozitës së gruas në shoqërinë shqiptare, Bushati theksoi se pjesëmarrja e tyre në nivelet drejtuese ka ardhur duke u rritur dhe sot ato përfaqësohen me rreth 30% në parlament, 50 përqind në kabinetin qeveritar, 45% e administratës publike, 25% në pozicionet drejtuese në diplomaci, etj. Ministri Bushati theksoi se gratë nga Shqipëria do të jenë pjesë e rrjetit dhe do të angazhohen për suksesin e iniciativës. 

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre (AJC), David Harris dhe anëtarë të organizatës. 

Ministri Bushati informoi mbi përparësitë e qeverisë së re, mbi zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit dhe theksoi nevojën e shfrytëzimit të të gjitha rrugëve dhe mundësive për t’i forcuar ato më tej. "Zgjerimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare për të inkurajuar praninë e biznesit Izraelit në Shqipëri merr, në këtë kuadër, një rëndësi të dorës së parë", theksoi Bushati. Ai bëri gjithashtu një pasqyrë të ecurisë së procesit të integrimit evropian si dhe të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri Bushati iu përgjigj interesit të të pranishmëve mbi procesin e reformave në Shqipëri, mbi planet për forcimin e arsimit dhe përmendi punën dhe kujdesin që bëhet në mënyrë të vazhduar për ruajtjen e harmonisë dhe forcimin e respektit mes besimeve në vend. Ai informoi edhe mbi projektet e qeverisë për një bashkëpunim të ngushtë me komunitetet e Diasporës shqiptare dhe shkëmbyen mendime mbi eksperiencën e Izraelit në këtë drejtim.

Përfaqësuesit e AJC, edhe një herë, çmuan rolin e rëndësishëm të popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00