Bushati - Dastis: Përfshirja e Spanjës, rol i shtuar për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati po merr pjesë në sesionin e 54-t të “Konferencës së Sigurisë së Mynihut”. Gjatë punimeve të kësaj konference, Ministri Bushati zhvilloi një takim me homologun e tij spanjoll,  ministrin e Jashtëm dhe Bashkëpunimit në Mbretërinë e Spanjës Alfonso Dastis.

Zyrtarët e lartë diskutuan mes tyre mbi Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, si dhe u angazhuan për gjetjen e instrumentave për thellimin dhe rigjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ministri Bushati u shpreh se Shqipëria e vlerëson rolin e Spanjës në favor të politikës së zgjerimit të BE-së, ndërsa shtoi se do të dëshironte përfshirjen e saj aktive në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se Shqipëria pret mbështetjen e Spanjës përsa i takon hapjes së negociatave me BE-në, duke theksuar progresin e bërë në plotësimin e pesë prioriteteve dhe sidomos implementimin e reformës në drejtësi. Ministri Bushati u ndal dhe tek njohja e Kosovës, ndërsa nënvizoi se rasti i saj nuk ka asgjë të përbashkët me rastin e Katalonjës.

Gjatë punimeve të konferencës, Ministri Bushati zhvilloi një takim dhe me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavuşoğlu. Ministrat diskutuan për çështje të karakterit dypalësh, duke u ndalur dhe në çështje që lidhen me sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Gjatë konferencës së Sigurisë së Mynihut që mbyll sot punimet, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi një takim me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Japonisë Taro Kono. Ministrat diskutuan mes tyre për bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe gjetjen e hapësirave për forcimin e konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, në rrafsh shumëpalësh dhe në mënyrë të veçantë, bashkëpunimin ekonomik.

Ministri Bushati e njohu homologun e tij Kono me mundësitë që ofron vendi ynë për investime me interes për biznesin japonez.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00