Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme të Maltës George Vella, mori pjesë në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, Gymnich, që u zhvillua në Maltë.
Në këtë takim ishin të ftuar edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kandidate. Diskutimet u përqendruan mbi sfidat e sigurisë në Europë, zhvillimet e fundit në Maqedoni, si dhe mbi luftën kundër terrorizmit dhe nevojën për ndërveprim me vendet kandidate në këtë kuadër.
Ministri Bushati shprehu mbështetjen e vazhduar dhe linjëzimin e plotë të Shqipërisë me politikën e BE-së për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe evidentoi kontributin dhe qasjen parimore të vendit tonë në përballjen e këtyre sfidave.
Nën dritën e përshkallëzimit të situatës në Maqedoni, Ministri Bushati vuri theksin mbi nevojën për një prani të shtuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe për një qëndrim koheziv të vendeve anëtare mbi mënyrën e tejkalimit të krizave të demokracisë në rajon. “Një qasje e tillë do të kontribuonte në kapërcimin e tensioneve, të shkaktuara nga rezistenca ndaj reformave që lidhen me sundimin e së drejtës. Sundimi i ligjit nuk mund të sakrifikohet në altarin e stabilitetit.”, theksoi Bushati.
“Që Bashkimi Europian të ruajë influencën dhe rolin transformues në rajon, duhet që mbështetja për reformat e konsolidimit të shtetit ligjor të shoqërohet me instrumente që nxisin rritjen ekonomike”.
“Gjithashtu, siguria është e lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimin. Për t’u përballur me sfidat komplekse të sigurisë duhet të përqendrohemi më shumë tek zhvillimi, ofrimi i mundësive ekonomike për rininë dhe përfshirja sociale”, u shpreh Bushati.