Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri zhvilluan Konferencën "Së bashku drejt Bashkimit Evropian: Njohja e përvojës së shkuar dhe krijimi i partneriteteve për të ardhmen". Konferenca ishte e konceptuar në dy panele: “Njohja e përvojës së shkuar” dhe “Krijimi i partneriteteve për të ardhmen”.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati nënvizoi se për Shqipërinë projekti evropian është në thelb një projekt bashkimi brenda vetes. Sipas tij, projekti evropian është projekti, të cilin shumica dërrmuese e shqiptarëve e shohin si projektin e paqes, sigurisë, mirëqenies, por mbi të gjitha e shohin si projektin e një qeverisje demokratike për ta.
Për kreun e diplomacisë shqiptare projekti evropian përkon jo vetëm me modernizimin dhe transformimin e shoqërisë sonë por edhe me konsolidimin e identitetit tonë evropian si komb.
Ish-ministrat e shtetit për integrimin dhe ish-ministra integrimi të ftuar në këtë tryezë, si Sokol Nako, Paskal Milo, Ermelinda Meksi, Majlinda Bregu dhe Klajda Gjosha diskutuan mbi përvojën e tyre në rrugën e integrimit evropian dhe ndanë bindjen se ky proces është i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët përtej çdo përkatësie politike.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nisi sot diskutimin me përfaqësues të shoqërisë civile të Platformës së Partneritetit për anëtarësimin në BE. Ky është një hap i parë në serinë e aktiviteteve të shumta që do të ndërmerren për të garantuar pjesëmarrjen e qenësishme të të gjithë aktorëve në këtë proces.
MEPJ synon që kjo platformë të garantojë vijimësi, gjithpërfshirje dhe përgjegjësi përtej binomit qeveri-opozitë.