Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane si dhe Ministër i Emigracionit dhe i Azilit të Dukatit të Madh të Luksenburgut, Jean Asselborn. Takimi i sotëm në Tiranë rikonfirmon vullnetin e përbashkët të dy shteteve për të forcuar dhe intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona.
Ministri Bushati e njohu homologun e tij me hapat konkretë të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e reformave në përmbushje të prioriteteve të anëtarësimit, veçanërisht me reformën në sistemin e drejtësisë, e cila prek secilin prej prioriteteve, dhe mbi të gjitha jetën e çdo qytetari shqiptar. “Shqipëria i është mirënjohëse Luksemburgut për mbështetjen që i ka dhënë në procesin e integrimit evropian që nga marrja e statusit e deri përgjatë procesit të vështirë të reformave të cilat shpresojmë që brenda një kohë të shkurtër do të na mundësojnë hapjen e negociatave për anëtarësim” – theksoi Ministri Bushati.
Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të qëndrueshme dhe të konsoliduara. Shqipëria dhe Luksemburgu bashkëpunojnë në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Ato kanë gjithashtu një ndërveprim si dy vende anëtare të NATO-s e shkëmbejnë pikëpamje edhe për sa i përket mjedisit të sigurisë në rajon. Në planin dypalësh, të dy homologët ndanë mendimin se më shumë duhet të angazhohemi me përpjekje të përbashkëta për intensifikimin e marrëdhënieve veçanërisht në fushën ekonomike, për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe thithjen e investimeve luksemburgeze në vend. Në këtë kontekst, u shpreh angazhimi për përfundimin sa më të shpejtë të Marrëveshjes për Shmangien e Taksimit të Dyfishtë, e cila do të sjellë lehtësira për investitorët luksemburgas që duan të investojnë në vendin tonë dhe anasjelltas.
Ministri Bushati vlerësoi vëmendjen e Luksemburgut për Rajonin e Ballkanit dhe qëndrimin e tij pro avancimit të vendeve tona drejt BE-së, në përgjithësi, dhe përpjekjeve të Shqipërisë në këtë proces, në veçanti. Të dy ndanë mendimin se bashkëpunimi rajonal është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, veçanërisht në drejtim të dialogut politik dhe rritjes së komunikimit mes vendeve në të gjitha dimensionet. “Ne po punojmë fort që rajoni i Ballkanit Perëndimor të bëhet një hapësirë paqeje, bashkëpunimi ekonomik e tregtar pa pengesa e barriera duke investuar kështu për të ardhmen e përbashkët, më të begatë, duke forcuar miqësinë dhe ecur drejt pajtimit”, nënvizoi Ministri Bushati.
Gjatë konferencës për shtyp, e cila vijoi takimin dypalësh, Ministri Asselborn e vuri theksin në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kohëve të fundit në hapësirën e BE-së, duke iu referuar në mënyrë të veçantë ngjarjeve në Spanjë, zgjedhjeve në Gjermani dhe Brexit, dhe në të njëjtën kohë nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Në vitin 2009 Shqipëria prezantoi kërkesën e saj për anëtarësim, më 2014 mori statusin e vendit kandidat dhe viti 2018 mund të jetë një vit shumë i mirë për hapjen e negociatave. Mundësitë janë shumë të mëdha dhe Luksemburgu do të vijojë ta mbështesë atë në këtë proces” – theksoi Ministri Asselborn.
Në vijim të konferencës për shtyp dhe të interesimit të gazetarëve duke marrë shkas nga ngjarjet më të fundit në Spanjë dhe paralelizmit mes Katalonjës dhe Kosovës, Ministrat Bushati dhe Asselborn nënvizuan se çdo krahasim qoftë me Krimenë po ashtu edhe me Katalonjën është i pambështetur. “Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën ka mbyllur çdo diskutim të mëtejshëm nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare” – vuri në pah Ministri Bushati. Nga ana e tij, Ministri Asselborn theksoi se “Në Kosovë kishte luftë, ndërkohë që në Katalonjë nuk ka dhe ky është ndryshimi kryesor midis këtyre dy rasteve”.