Dita e Mësuesit, Ministrja Xhaçka: Mirënjohëse për kontributin e mësuesve të gjuhës shqipe kudo në botë

Në kuadër të Ditës së Mësuesit, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, shprehu urimet më të mira për të gjithë mësuesit shqiptarë duke i vlerësuar ata për kryerjen e këtij misioni kaq fisnik.
Një urim të veçantë, Ministrja Xhaçka përcolli edhe për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, teksa shprehu mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar tek fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
“Në këtë ditë kaq të bukur, unë dua t’ju zotohem që ne do të përpiqemi me të gjithë mundësitë që t’ju mbështesim akoma më shumë. Brenda pak muajsh, do të çelet qendra e parë kulturore në Greqi, e cila do të shërbejë si një hapësirë kulturore e artistike për komunitetin shqiptar, por edhe si në pikë referimi për përpjekjet tona të përbashkëta për të ruajtur identitetin kombëtar e për të promovuar nismat e projekte që i shërbejnë komunitetit shqiptar në Greqi, me shpresën se këtë model do ta replikojmë edhe në vende të tjera ku jetojnë bashkëkombasit tanë”, tha kryediplomatja shqiptare.
Më poshtë mesazhi i plotë i Ministres Xhaçka:

Të dashur miq,
Të nderuara mësuese e mësues të gjuhës shqipe,
Gëzuar 7 Marsin!
Dua të uroj sot të gjithë mësuesit e mësueset, kudo që janë, në Shqipëri e jashtë Shqipërie!
Dua të uroj mësuesit e mësueset e mia padyshim. Ruaj për ta ende sot, një dashuri e respekt të jashtëzakonshëm. Por mbi të gjitha dua t’ju uroj ju, mësueset e mësuesit e gjuhës shqipe kudo në diasporë për punën tuaj të bukur e fisnike.  Të gjithë ne i kemi një borxh të pashlyeshëm mësuesve tanë. Sot mund të jemi ministra, mund të jemi politikanë, profesionistë në fusha nga më të ndryshmet, por pa mësuesit, s’do të kishim qenë askushi.
Por në rastin tuaj, kjo festë merr një domethënie krejt të veçantë. Sepse ju keni një mision akoma më të rëndësishëm për Shqipërinë e shqiptarët. Me punën tuaj juve bëni të mundur ruajtjen e gjuhës, bëni të mundur, që edhe ata fëmijë e të rinj, për të cilët Shqipëria nuk është vendi i tyre i lindjes, por vendi i lindjes së prindërve të tyre, të ruajnë identitetin e tyre kombëtar.
Në këtë, ju jeni duke ecur në gjurmët e një tradite fisnike e atdhetare që e ka zanafillën e saj thellë në kohë, tek Rilindja Kombëtare. Ju jeni duke ecur në gjurmët e sa e sa patriotëve e patrioteve që punuan e u munduan aq shumë të ruanin gjuhën të cilën e shihnin me të drejtë si një pjesë jetike të identitetit tonë kombëtar.
Unë e di që kjo nuk është e lehtë. Kjo është një punë që kërkon shumë dashuri e pasion. Për këtë ju jemi thellësisht mirënjohës. Jo vetëm ne, por një komb i tërë.
Në këtë ditë kaq të bukur, në ditën tuaj, unë dua t’ju zotohem që ne do të përpiqemi me të gjithë mundësitë që t’ju mbështesim akoma më shumë. Brenda pak muajsh, do të  çelet qendra e parë kulturore në Greqi. Kjo qendër, puna për të cilën sot është shumë e avancuar, do të shërbejë si një hapësirë kulturore e artistike për komunitetin shqiptar, por edhe si në pikë referimi për përpjekjet tona të përbashkëta për të ruajtur identitetin kombëtar e për të promovuar nismat e projekte që i shërbejnë komunitetit shqiptar në Greqi, me shpresën se këtë model do ta replikojmë edhe në vende të tjera ku jetojnë bashkëkombasit tanë.
Gëzuar 7 Marsin edhe njëherë dhe faleminderit për punën tuaj të jashtëzakonshme.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00