Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë u kremtua sot, në 20 mars, në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të pranishmit i përshëndeti Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Artemis Malo.
Në fjalën e saj Malo theksoi se, “sot kremtojmë gjuhën franceze, këtë të mirë të përbashkët. Por, gjithashtu shprehim solidaritetin dhe dëshirën tonë për të jetuar së bashku, në dallimet dhe diversitetin, duke ndarë vlerat e Frankofonisë. Sot, në një botë që përballet nga kriza dhe konflikte, intoleranca, diskriminimi dhe përhapja e gjuhës së urrejtjes, është domosdoshmërisht e nevojshme që të promovohen dhe të mbrohen vlerat e dinjitetit njerëzor, paqes, lirisë, barazisë dhe drejtësisë në hapësirën frankofone”.
Malo nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në promovimin dhe forcimin më tej të gjuhës frënge dhe diversitetit gjuhësor, aktivitetet në kuadër të Frankofonisë, përfshirë edhe aktivitete me karakter rajonal.
Slogani i këtij viti të përqëndrohet në temën: “Në frëngjisht … ju lutem”. Ky slogan do të thotë: “Ju keni mundësinë të flisni një nga gjuhët kryesore të botës moderne, pra, shfrytëzoni këtë mundësi. “Gjuha franceze i takon të gjithë atyre që e flasin atë “.
Në fjalën e saj, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, SH.S. Christina Vasak e vuri theksin te rëndësia e gjuhës frënge, si një gjuhë e bukur, por mbi të gjitha si një pasuri e përbashkët përballë sfidave të sotme dhe tek dimensionet e tjera të Frankofonisë si paqja, demokracia, të drejtat e njeriut, rinia, zhvillimi i qëndrueshëm dhe barazia gjinore.
Ambasadorja vuri në dukje aktivitetet e zhvilluara gjatë Pranverës së Frankofonisë në Shqipëri që vijojnë deri në fund të muajit mars.