Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka zhvilluar sot në Irlandë një vizitë zyrtare dhe është pritur në takim nga Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Irlandës, Simon Coveney.
Në fokus të bisedimeve mes dy ministrave ishin çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë, intensifikimi i marrëdhënieve bilaterale, thellimi i bashkëpunimit ekonomik, liberalizimi i vizave dhe çështjet e Brexit. Ministri Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Irlandës në procesin e integrimit evropian të vendit tonë dhe bëri një prezantim të masave të marra nga qeveria shqiptare në adresimin e 5 prioriteteve, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe procesin e vetting-ut.
Të dy palët ranë dakord për domosdoshmërinë e intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale dhe identifikimin e fushave të ndryshme të bashkëpunimit me interes të përbashkët. Një vëmendje të veçantë në këtë takim, pati bashkëpunimi ekonomik në fushën e turizmit, agroturizmit si dhe liberalizimi i vizave.
Ministri Bushati u shpreh se thellimi i marrëdhënieve do të inkurajonte bashkëpunimin në të gjitha fushat kryesisht atë të turizmit. Ministri Coveney falënderoi homologun e tij për vizitën dhe rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme dhe të pakushtëzuar të Irlandës për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Gjatë vizitës, Ministri Bushati u takua edhe me Seán Ó Fearghail, Kryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit irlandez si edhe me Kryetarin e Komisionit të Përbashkët për Çështje të BE-së, Michael Healy-Rae dhe anëtarë të këtij komiteti.
Gjatë takimeve palët shprehën vlerësimin maksimal dhe mbështetjen e tyre për arritjet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu u shprehën të gatshëm për të thelluar më tej bashkëpunimin parlamentar përmes krijimit të grupeve të miqësisë dhe shkëmbimit të vizitave.
Gjatë takimeve u diskutua mbi mundësinë e liberalizimit të vizave dhe inkurajimin e lëvizjes së lirë dhe pa barriera mes dy vendeve.