Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati priti sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme, homologun e tij të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Bert Koenders.
Ministrat Bushati dhe Koenders diskutuan mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësitë e forcimit dhe dinamizmit të mëtejshëm të tyre.
Ministri Bushati vlerësoi dedikimin e Holandës për mbarëvajtjen e reformave në vendin tonë dhe interesin e kompanive holandeze për Shqipërinë, çka i kanë renditur investimet holandeze në vendin e dytë gjatë vitit të kaluar.
Nisja e fluturimeve direkte Tiranë – Amsterdam më datë 10 maj do t’i shërbejë edhe më shumë forcimit të kontakteve mes dy vendeve, duke stimuluar në të njëjtën kohë interesin e kompanive dhe turistëve holandezë për Shqipërinë.
Duke u ndalur tek rëndësia e avancimit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, Ministri Bushati shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për progres të mëtejshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, në radhë të parë të procesit të Vettingut, si një reformë që do t’i shërbeje para së gjithash qytetarit shqiptar, por dhe si një kusht për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
“Dëshiroj të falënderoj kolegun Koenders për qartësinë që ka dhe për rëndësinë që i ka dhënë konsolidimit të projektit europian në këtë kënd të Europës. Ndamë pikëpamjen se ulja në tryezën e bisedimeve për anëtarësim do të bëhet në momentin që do të kemi rezultate konkrete në reformën në drejtësi, siç është zbatimi i plote dhe progresi i mëtejshëm në procesin e Vettingut” theksoi Ministri Bushati.
Duke vlerësuar progresin e bërë dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e reformave, Ministri Koenders garantoi se Holanda do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Gjatë konferencës për shtyp Ministri Koenders u shpreh se: “Holanda ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë dhe më tej Shqipërinë në rrugëtimin e saj, ku dëshiroj të vlerësoj progresin e bërë deri tani në këtë drejtim. Ndryshimet kushtetuese që janë miratuar me unanimitet nga parlamenti shqiptar duhet tashmë të shohin dritën e zbatimit të plotë, pasi edhe qytetarët shqiptarë dëshirojnë zbatimin e reformës në drejtësi”.
Dy ministrat biseduan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit dhe sfidat e bashkëpunimit në rajon, si dhe nevojën për një vëmendje të shtuar të BE-së në mënyrë që integrimi në BE të vijojë të jetë një forcë shtytëse për shoqëritë tona drejt një të ardhmeje të begatë