Konferenca e derregullimit: “MEPJ, nismë për lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka ndërmarrë një sërë nismash për të lehtësuar shërbimet ndaj qytetarëve, kryesisht ndaj shtetasve tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Një ndër këto nisma është edhe zbatimi i reformës së derregullimit, si një qasje e re për të ulur peshën e burokracisë mbi qytetarët. Në Konferencën e organizuar për këtë qëllim, zv. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Etjen Xhafaj, bëri një prezantim të hollësishëm të hapave të ndërmarrë ndaj këtij shërbimi, që sipas tij, është një proces në vazhdimësi e për të cilin, rol kryesor luan edhe përfshirja e vetë qytetarëve.

Në funksion të lehtësimit të  procedurave, u lançua një vit më parë projekti më madhor i dixhitalizimit të shërbimeve konsullore, Shërbimi Konsullor Online. “SHKO” ka sjellë ndryshime rrënjësore në ofrimin e shërbimit për shqiptarët në botë, rritjen e cilësisë, lehtësimin e procedurave, shkurtimin e kohës së shërbimit si dhe rritjen e transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.

“Në këtë kontekst janë përpiluar dhe standardizuar formularë e dokumente zyrtare që lëshohen online nga Përfaqësitë Diplomatike dhe Konsullore, janë standardizuar të gjitha elementet e sigurisë për çdo dokument, janë vendosur kodifikimet elektronike si dhe janë ndërtuar regjistrat e veprimeve të ndara sipas fushave. Aplikimi përmes kësaj platforme u ka kursyer shtetasve shqiptarë kohë dhe para”, u shpreh zv. Ministri Xhafaj.

Për të lehtësuar sa më shumë aksesin ndaj këtij informacioni, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka krijuar aplikacionin E-konsullata, i cili mund të shkarkohet lehtësisht në Play Store dhe IOS në telefonin celular, Ipad apo kompjuter.

E rëndësishme është të theksohet se MEPJ nuk ka reshtur gjatë këtyre viteve për lehtësimin e procedurave konsullore. Është hequr legalizimi i dokumenteve me Belgjikën, Gjermaninë dhe Spanjën duke reduktuar me 40% kohën dhe procedurat burokratike. Përpjekje po bëhen edhe me Greqinë, me bindjen se do të realizohet shumë shpejt.

Gjithashtu, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të R. Sh., në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, janë duke bashkëpunuar në mundësimin e lëshimit të dëshmive të penalitetit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, tashmë do të mund të bëhet verifikimin e menjëhershëm të lejeve të drejtimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare.

Shqipëria është sot vendi i parë në rajon që ka aplikuar shërbimet konsullore online, megjithatë puna për të modernizuar dhe thjeshtëzuar këto shërbime në të mirë të qytetarëve është një proces në vazhdimësi, në të cilin një rol kryesor e luan edhe përfshirja e vetë qytetarëve.

Në vijim Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të të kërkojë edhe mënyra të tjera për të lehtësuar marrjen e dokumenteve për qytetarët jashtë vendit, duke reduktuar numrin e vizitave pranë konsullatave dhe përfaqësive diplomatike aty ku është e mundur.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00