Në datë 20 mars 2018, në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u kremtua Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë me praninë e përfaqësuesve të lartë të institucioneve. Në këtë aktivitet, morën pjesë gjithashtu ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, pjesëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe mjaft personalitete frankofone shqiptare e të huaj të fushave të ndryshme.
Në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të pranishmit i përshëndeti Zëvendësministri z. Etjen Xhafaj.
Në fjalën e tij, ai theksoi se në një botë e cila përballet me kriza dhe konflikte, intoleranca, diskriminimi dhe përhapja e gjuhës së urrejtjes kërkon që të promovohen dhe të mbrohen vlerat e dinjitetit njerëzor, paqes, lirisë, barazisë, dhe drejtësisë në hapësirën frankofone.
Ai nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në promovimin dhe forcimin më tej të gjuhës frënge dhe diversitetit linguistik, ashtu edhe në drejtim të aksioneve të tjera të Frankofonisë, përfshi edhe aktivitete me karakter rajonal.
Në fjalën e saj Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Znj.Christina Vasak e vuri theksin te dimensionet e tjera të Frankofonisë si paqja, demokracia dhe të drejtat e njeriut, rinia, zhvillimi i qëndrueshëm dhe barazia gjinore, duke risjellë në vëmendje edhe parimet e mishëruara në Kartën e OKB-së.
Ndër aktivitetet e zhvilluara gjatë Pranverës së Frankofonisë në Shqipëri, e cila vijon deri në fund të muajit mars, AmbasadorjaVasak veçoi Forumin e Dytë të Grave Frankofone, Forumin Ekonomik Frankofon, Përurimin e sallës franceze të leximit në bibliotekën Kombëtare etj.
Gjatë kësaj ceremonie, sipas traditës, u akorduan edhe “Diploma Nderi” për personalitetet më të shquara frankofone shqiptare të vitit 2018.