Ministrat Blendi Klosi dhe Klajda Gjosha në konferencën 'Një e ardhme më e mirë për rininë në Ballkanin Perëndimor'

22.06.2016 - Sot në ambientet e Parlamentit Europian në Bruksel, u zhvillua konferenca me temë: 'Një e ardhme më e mirë për rininë në Ballkanin Perëndimor', organizuar nga eurodeputetët sllovenë Tanja Fajon dhe Franc Bogovic, me pjesëmarrjen e Komisioneres për Politikat Rajonale, znj. Corina Cretu, dhe mjaft personaliteteve nga institucionet sllovene dhe ato të Brukselit. Shqipëria u përfaqësua në këtë aktivitet me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, dhe Ministren e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha.

 

Duke qenë se pak ditë ndajnë nga Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit në Paris, kjo konferencë synoi në nxitjen e mëtejshme të përmirësimit të perspektivës së gjeneratave të reja në vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

Në fjalën e tij Ministri Klosi theksoi se, nëse duhet të lëmë pas të shkuarën për të garantuar të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor, duhet ta nisim nga rritja e komunikimit dhe bashkëpunimit mes të rinjve të këtij rajoni. Ai raportoi mbi konkretizimin e projektit të ngritjes së Zyrës Rajonale Rinore, me seli në Tiranë duke theksuar se aktivitetet e përbashkëta, inisiativat e përbashkëta, hapësirat e përbashkëta, shfrytëzimi i gjithçkaje që na bashkon, është mënyra për tu ndarë njëherë e përgjithmonë nga ajo që na ka ndarë. Ministri Klosi shprehu bindjen se ngritja e Zyrës Rajonale Rinore është fillimi i një komunikimi më të mirë, i një edukimi më të mirë, i formimit të një rinie më proaktive e më mëndje-hapur për të përmirësuar së bashku të ardhmen e rajonit.

 

Ministrja Gjosha u shpreh se është detyrim dhe përgjegjësi e politikëbërësve dhe përfaqësuesve të qeverisë të motivojnë të rinjtë, që të angazhohen maksimalisht dhe të përfitojnë nga mundësitë të reja, sepse pa ta nuk mund të ketë progres në çdo vend europian. Ajo nënvizoi se rinia i ka thyer prej shumë kohësh barrierat e dikurshme duke nxitur bashkëpunim rajonal, ndaj Bashkimi Europian duhet të përcjellë mesazh prosperiteti, për një të ardhme më të sigurt dhe më solidare. Të rinjtë janë e ardhmja dhe këtë të ardhme e shohin vetëm në Europën e bashkuar. Të rinjtë janë ambasadorët më të mirë për marrëdhënie të forta në rajon. Mbështetja për të rinjtë do të thotë që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë bashkë dhe më pranë Bashkimit Europian.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00