Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, gjatë qëndrimit të tij në SHBA, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada Shqiptare me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit. Këtë vit pritja u zhvillua në Librarinë e Kongresit Amerikan ku morën pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli, Zv. Asistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee, Senatori Gary Peters dhe Kongresmeni Eliot Engel, bashkëdrejtues të grupit të miqësisë Shqipëri-SHBA, ish-ambasadorë amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri dhe bashkatdhetarë të shumtë,
Në fjalën e tij, Ministri Bushati vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik mes dy vendeve, të mbështetura në interesa të përbashkëta dhe këndshikime të njëjta sa i përket sigurisë në Evropë dhe komunitetin transatlantik, por edhe në vlera dhe kredo të përbashkëta. “Edhe pse një vend i vogël, Shqipëria qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Historia jonë e veçantë e tolerancës fetare është një aset special të cilin e kemi vendosur në shërbim të parandalimit të këtyre fenomeneve dhe kërcënimeve globale” – nënvizoi Ministri Bushati.
Zv. Asistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Lee përcolli urimet më të mira për popullin shqiptar në emër të qeverisë dhe popullit amerikan. “Kjo është sigurisht një ditë për t’u festuar – u shpreh ai. 105 vjet Pavarësi, por edhe një çerek shekulli bashkëpunim i suksesshëm dhe i frytshëm mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, një miqësi dinamike dhe çdo ditë më e përforcuar mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Sot festojmë gjithashtu edhe progresin tuaj drejt integrimit evropian, ku mezi presim t’ju shohim anëtar. Ju jeni në NATO, e në të njëjtën kohë jeni një shembull për rajonin duke parë përpara dhe jo pas dhe duke ndërtuar një të ardhme dhe mundësi të reja për të rinjtë tuaj”.
Senatori Peters u ndal në marrëdhënien shumë të rëndësishme mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, në funksion të së cilës është ngritur dhe grupi mbështetës i miqësisë Shqipëri - SHBA në Senatin amerikan, për ta përforcuar dhe përmirësuar më tej atë. Ai falënderoi shqiptarët kudo në botë për mbështetjen që i bëjnë kauzës së lirisë. Nga ana e tij, Kongresmeni Engel vuri në pah miqësinë e veçantë që shqiptarët kanë për popullin amerikan, “të cilën nuk e gjen askund tjetër në botë” – theksoi ai. Ai vlerësoi edhe kontributin që Diaspora shqiptare në SHBA ka dhënë në kulturën amerikane.
Në Librarinë e Kongresit, me mbështetjen e MEPJ dhe në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Shtetit, u ekspozuan online Kodikët e Purpurt të Beratit, të cilët janë tashmë pjesë e Librarisë Botërore Dixhitale.