Më 26 dhe 27 gusht 2015, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori pjesë në punimet e Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e delegacionit të Republikës së Shqipërisë që u kryesua nga Kryeministri z. Edi Rama, në përbërje të të cilit edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj.
Ky samit, i cili u zhvillua në vijim të Samitit të Berlinit të vitit të kaluar, synoi veçanërisht avancimin e agjendës së ndërlidhjes infrastrukturore, rrugore dhe energjetike, midis vendeve të rajonit dhe BE-së, thellimin e bashkëpunimit për çështje që kanë të bëjnë me arsimimin, kualifikimin, punësimin dhe lëvizshmërinë e rinisë, trajtimin e problematikës në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe të sfidave me të cilat përballen bashkërisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE.
Në ditën e parë të aktiviteteve në Vjenë, kushtuar rolit të shoqërisë civile, Ministri Bushati mori pjesë në punimet e sesionit të parë ku u diskutua mbi temën "Roli i BE-së në zgjidhjen e problematikave dypalëshe në Ballkanin Perëndimor që prekin të ardhmen e proceseve integruese".
Në fjalën e tij, Ministri Bushati evidentoi se: "Çështjet bilaterale në të shkuarën kanë ngadalësuar ose kanë penguar procesin e anëtarësimit duke vënë në dyshim besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e këtij procesi. Për të shmangur të gjitha paqartësitë është e domosdoshme që trajtimi i çështjeve bilaterale të bëhet në fazë të hershme, duke kombinuar mekanizmat e zgjidhjes me instrumente nxitës, duke përfshirë instrumente mbështetës për zhvillimin ekonomik.".
Kryeministri z. Edi Rama mori pjesë në Forumin e Shoqërisë civile ku u diskutua mbi bashkëpunimin rajonal dhe rolin e shoqërisë civile. Gjate takimit, u promovua, gjithashtu, marrëveshja për hapjen e zyrës së bashkëpunimit rinor rajonal, iniciative kjo, e ndërmarrë nga Kryeministrat Rama dhe Vucic.
Gjatë punimeve të ditës së dytë të Samitit të Vjenës, në segmentin e Ministrave të Punëve të Jashtme u diskutua mbi strukturat ekzistuese të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, adresimin e problematikave dypalëshe pa ndikuar në procesin e integrimit evropian si dhe bashkëpunimin rinor si një promotor i normalizimit të marrëdhënieve dhe pajtimit. Gjithashtu, në këtë segment u trajtuan edhe sfidat aktuale me të cilat përballet Evropa dhe rajoni ynë duke përfshirë ato ekonomike dhe humanitare.
Në fjalën e tij në segmentin e Ministrave te Punëve te Jashtme, Ministri Bushati evidentoi se: "Procesi i Berlinit ka arritur të prodhojë hapa konkretë pozitivë sepse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dëshmuar se mund të përmbushin angazhimet që kanë marrë në mënyrë kolektive. Në të kaluarën kishim një pakt stabiliteti, tanimë kemi një pakt ndërlidhjeje dhe jemi në kërkim të një pakti zhvillimor".
Në fund të takimit, nëpërmjet deklaratës së përbashkët mbi çështjet e pazgjidhura dypalëshe, Ministrat e Punëve të Jashtme ranë dakord se çështjet dypalëshe nuk duhet të përbejnë pengesë për proceset integruese të vendeve të rajonit.