Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë më 2 shkurt 2016, në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Jug-lindore (SEECP) në Sofje.
Në takim morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të 13 vendeve anëtare, të ftuar nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Takimi u zhvillua në kuadër të kryesisë bullgare të SEECP-së, forum i cili shënon këtë vit 20 vjetorin e krijimit të tij.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Ministri Bushati vuri në dukje rolin e SEECP-së si “një instrument që gjeneron dhe përshpejton bashkëpunimin rajonal”.
Vend të veçantë në fjalën e Ministrit Bushati zuri edhe kriza e emigranteve dhe efektet e saj anësore: “Gjatë vitit të kaluar kemi qenë dëshmitarë të rritjes së shqetësimeve legjitime për impaktin e krizës së refugjatëve mbi sigurinë, po ashtu të rritjes aspak legjitime të stereotipeve negative; gjithashtu krahas rritjes së ekstremeve kemi parë dhe rritjen e mosbesimit midis vendeve” u shpreh Ministri Bushati.
Duke u ndalur mbi përpjekjet e përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe duke prezantuar avantazhet e modelit Shqiptar të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare, Ministri Bushati theksoi se “kjo është një betejë afat-gjatë, një betejë për të krijuar mirëqenie, kohezion dhe respekt të ndërsjellë brenda shoqërive tona”.
Gjatë konferencës për shtyp Ministri Bushati u shpreh se “kriza e refugjatëve dhe lufta kundër terrorizmit, kanë treguar ndërvarësinë e BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e rëndësishme që kjo ndërvarësi të përkthehet në një mundësi bashkëpunimi të përforcuar të BE-së me vendet e rajonit, në mënyrë që këto vende të mbyllin me sukses proceset e shtet-ndërtimit demokratik”.
Gjatë takimit, ministrat miratuan Deklaratën e Përbashkët lidhur me sfidat e flukseve migratore në Evropën Jug-lindore, ku një theks i veçantë i kushtohet masave të përbashkëta për përballimin e tyre në frymën e solidaritetit dhe përgjegjshmërisë.
Në kuadër te Ministerialit të SEECP, z. Bushati zhvilloi edhe disa takime dypalëshe me homologët e Bullgarisë, Rumanisë dhe Maqedonisë.