Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të sesionit të 34-t të Këshillit për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, i cili po zhvillon punimet në Gjenevë. Shqipëria, e cila është anëtare që prej vitit 2015 në këtë Këshill, mbetet e angazhuar mbi mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke theksuar se drejtësia, edukimi, përfshirja sociale dhe barazia janë elementë të rëndësishëm në forcimin e paqes, sigurisë dhe realizimin e një zhvillim të qëndrueshëm.
Në fjalën e tij Ministri Bushati, vlerësoi kontributin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së, lidhur me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, kudo në botë.
Duke u ndalur në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, Ministri Bushati theksoi përpjekjet e Shqipërisë në këtë fushë dhe riafirmoi angazhimin e vendit tonë për të qenë anëtare dhe drejtuese në iniciativat që kanë për qëllim parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit.
Ministri Bushati evidentoi përpjekjet në nivel kombëtar për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave, rinjvë dhe fëmijëve, të drejtat e pakicave, etj., në përputhje me angazhimet ndërkombëtare dhe procesin e integrimit evropian të vendit. Për Shqipërinë, toleranca fetare është shtylla kurrizore e një kulture dhe shoqërie të civilizuar, dhe një model inkurajues që vlerësohet ndërkombëtarisht.
''Shqipëria i ka kushtuar gjithmonë vëmendje të veçantë mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të pakicave. Ne jemi tani duke punuar për të përgatitur dhe miratuar një ligj të ri kuadër për minoritetet, në përputhje me Konventën Europiane Kuadër për Minoritetet Kombëtare dhe standardet më të mira ndërkombëtare'', theksoi Ministri Bushati.
Duke u ndalur në përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut në disa vende të caktuara si Siri, Sudani i Jugut, Republika Popullore Demokratike e Koresë (DPRK) dhe Ukrainë, ai u shpreh se Shqipëria mbetet thellësisht e shqetësuar për dhunën e vazhdueshme dhe se inkurajon çdo vend të veprojë në përputhje të plotë me të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare.
Në margjinat e takimit të nivelit të lartë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Ministri Bushati zhvilloi takime dypalëshe me Ministrin e Jashtëm të Gjeorgjisë, Ministrin e Jashtëm të Kazakistanit, si dhe atë të Mongolisë. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, me fokus në fushën e tregtisë dhe turizmit, si dhe bashkëpunimit ne kuadër te organizatave nderkombetare etj. Me Ministrin e Jashtëm të Mongolisë, Ministri Bushati nënshkroi edhe marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe te shërbimit.