Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në konferencën për Dialogun Mesdhetar 2016, e cila zhvilloi punimet e saj në Romë. Në fokus të kësaj konference ishin sfidat e sigurisë me të cilat përballet rajoni i Mesdheut dhe flukset migratore të shkaktuara nga zonat në konflikt.
Bashkëbisedues si Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet i Selisë së Shenjtë, dhe Emma Bonino, ish-Ministre e Jashtme e Italisë, insistuan mbi rëndësinë e politikave afatgjata në Evropë për të siguruar njëherazi detyrimet humanitare ndaj popullsive në rrezik dhe nevojën për kohezion social në kuadër të flukseve migratore të paprecedente.
Duke u ndalur në historikun e emigracionit shqiptar në Itali, Ministri Bushati evidentoi kontributin e veçantë pozitiv që mund të japë emigracioni kur shoqërohet me politika integruese efiçente. “Komuniteti shqiptar është komuniteti më i integruar në shoqërinë italiane dhe kjo është arritur falë mikpritjes por edhe falë bashkëpunimit me autoritet italiane, duke forcuar njëkohësisht marrëdheniet dypalëshe”, theksoi Bushati.
Ministri Bushati u ndal në bashkëpunimin e suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke dëshmuar kësisoj se rajoni mund të përbëjë një hallkë të fortë për sigurinë e kontinentit. “Në një kontekst pasigurie të theksuar, ky bashkëpunim përbën lajm të mirë” - tha Ministri Bushati - “çka duhet reflektuar në vijimin e procesit të zgjerimit, pasi BE-ja duhet të ruajë një qasje pozitive dhe strategjike në rajon, në mënyrë që integrimi në BE mos të kthehet në një proces teknik dhe pa shpirt politik".
Në kuadër të vizitës së tij në Romë, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë Paolo Genitiloni. Në fokus të bisedimeve ishte vijimi i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe koordinimi i hapave të mëtejshëm përgatitorë për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ministri Bushati falënderoi homologun Gentiloni për mbeshtetjen e fortë dhe pa rezerva që vendi i tij vijon t’i japë Shqipërisë në procesin e integrimit. “Bashkëpunimi me Italinë është orientues për Shqipërinë dhe stabilizues për vendet e Evropës Adriatike", u shpreh Ministri Bushati.
Në prag të Ministerialit të NATO-s, bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta mbi ecurinë e krizave në lindje dhe në jug të aleancës.
Gjithashtu, në kuadër të mekanizmave dypalësh për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, dy Ministrat trajtuan dhe çështjen e dispozitave të reja ligjore mbi kompanitë italiane që operojnë në vendin tonë dhe në veçanti problematikën e kompanive “Call Center”. Ministrat ranë dakord që organet kompetente të punojnë intensivisht për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.