Ministri Bushati në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe vendeve të Ballkanit anëtare të BE-së në Sunio: Është koha të mendojmë për të ardhmen e brezit të ri

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Vendeve të Grupit të Vishegradit (V4) dhe Vendeve të Ballkanit anëtare në BE (Balkan 4), në Sunio, Greqi. Vendet e Ballkanit Perëndimor, Sllovenia dhe Qipro janë ftuar gjithashtu të marrin pjesë në takim.

Ministrat e Grupit të Vishegradit dhe B4, së bashku me Ministrin e Jashtëm grek si mikpritësi i takimit, rikonfirmuan mbështetjen e plotë për rrugëtimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë këndvështrim, ministrat përcollën njëzëri mesazhin se politika e zgjerimit është një investim strategjik në zhvillimin dhe sigurinë e Evropës si dhe ndikon në forcimin e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit në rajon.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati nënvizoi nevojën e shkëmbimit të mendimeve midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përgjegjësinë e tyre në formatimin e së ardhmes së përbashkët në familjen evropiane. Duke e vënë theksin te rëndësia e një bashkëveprimi të përforcuar mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së, Ministri evokoi rëndësinë e zhvillimeve të reja për fuqizimin e perspektivës evropiane të rajonit, pas publikimit të Strategjisë së KE-së dhe pritshmëritë në kontekstin e Samiteve të ardhshme të Sofjes dhe Londrës.

Ministri Bushati vlerësoi se procesi i zgjerimit duhet të jetë një proces i dyanshëm jo vetëm në aspektin gjeopolitik por edhe ekonomik. Në këtë kuadër ai nënvizoi rëndësinë e reformave strukturore ekonomike në funksion të ngushtimit të hendekut zhvillimor që qëndron mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Negociatat do të na drejtojnë në kahun e transformimit evropian që kemi ndërmarrë. Ne jemi të vetëdijshëm se hapja e negociatave është vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe sfidues të të mësuarit, por ne duam ta përdorim këtë kohë për ta shndërruar më tej vendin tonë dhe për t'i sjellë qytetarët tanë më afër Evropës”, u shpreh Bushati duke iu referuar rekomandimit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Ministri Bushati vlerësoi se çdo diskutim mbi të ardhmen duhet të përqendrohet tek “e ardhmja e brezit të ri”.

Ministeriali i Sunios shqyrtoi me përparësi çështjet e bashkëpunimit dhe të ndërlidhjes energjetike. Në këtë aspekt, Ministrat e Jashtëm u dakordësuan rreth nevojës së përdorimit më të mirë të potencialeve ekzistuese energjetike për një koordinim më të mirë të rrjetëzimit energjetik mes vendeve të rajonit dhe BE-së.

Në vijim të Takimit të parë të këtij formati, zhvilluar në Budapest në tetor të vitit të kaluar, diskutimet mes Ministrave u përqendruan në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, të ardhmes së Evropës, si dhe në sfidat e sigurisë, veçanërisht ato të sektorit të energjisë. 

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00