Ministri Bushati pret Ministrin gjerman të Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti në një vizitë zyrtare Ministrin gjerman të Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth.

Biseda u përqëndrua kryesisht tek hapat që po ndërmerr Shqipëria në procesin e anëtarësimit në BE duke u ndalur veçanërisht tek reformat e guximshme dhe të qëndrueshme që ajo po kryen.

Ministrat diskutuan progresin e bërë në fushën e reformave dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociave të vendit tonë me BE-në si dhe nevojën për projekte ndërlidhshmërie mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Ministri Bushati falenderoi qeverinë gjermane për bashkëpunimin dhe komunikimin e hapur dhe të ndershëm me Shqipërinë lidhur me reformat që kemi ndërmarrë dhe punën që duhet të bëjmë në funksion të jetësimit të këtij kapitulli të ri që synojmë të hapim me BE. 

Nga ana e tij, Ministri Roth nënvizoi faktin që Shqipëria ka ndërmarrë reforma të sukesshme dhe rikonfirmoi se “Shqipëria mund të vazhdojë të mbështetet në ndihmën e Gjermanisë”.  Ministri Roth, nënvizoi rëndësinë e daljes përtej politikës së ditës dhe angazhimin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve në funksion të këtij proriteti madhor.  

Më poshtë deklarata e plotë e dy ministrave:

 

Fjala e ministrit Bushati

Ishte kënaqësi që prita sot në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme, ministrin Federal për Evropën, Michael Roth, i cili, përveçse koleg, është mik i imi, mik i vendit tonë dhe mik i projekteve evropianizuese që po ndodhin në rajonin tonë.

Siç dihet, Gjermania është partneri kryesor jo vetëm i Shqipërisë, por i vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin transformues. Është vend i cili inicioi procesin e Berlinit. Edhe në të shkuarën, nuk kam nguruar për t’a përkufizuar si një kritik të rreptë, por partner të ndershëm për procesin e vështirë të reformave në të cilat është përfshirë vendi ynë. Jo vetëm në reformat që kanë lidhje me sundimin e së drejtës në ekonomi, por edhe në procese të tjera ku Gjermania ndihmon Shqipërinë, në procesin e zhvillimit dhe transformimit ekonomik e shoqëror dhe në këtë kontekst, i jemi mirënjohës taksapaguesve gjermanë për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë.

Siç mund t’a merrni me mend, fokusi i bisedës së sotme ishte në lidhje me hapat e mëtejshme që do të ndërmarrim për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke marrë në shqyrtim qoftë procesin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, strategjinë e zgjerimit që përcakton disa prej fushave kryesore ku do të përqëndrohet bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në të ardhmen.

Diskutuam gjithashtu për disa prej momenteve kryesore që ne së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian do të kemi këtë vit, qoftë Samitin e Sofjes që do të mbahet në pak ditë, apo atë  të Londrës, në kuadër të procesit të Berlinit që nuk diskutohet se kanë si pikë të përbashkët, axhendën e lëvizshmërisë, mobilitetin e të rinjve dhe njerëzve në rajonin tonë dhe që kanë si synim të përshpjetojnë procesin e integrimit europian të vendeve tona.

Dua gjithashtu, që në emër të qeverisë shqiptare, t’i shpreh mirënjohjen Michael, për komunikimin shumë të hapur e shumë të ndershëm që kemi pasur dhe kemi me qeverinë gjermane, Bundestagun gjerman, përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë gjermane që formësojnë opinionin publik, duke identifikuar arritjet që kemi pasur në këtë drejtim.

Dihet që Gjermania ka qenë një vend mbështetes në kuadër të procesit të reformës në drejtësi, kontribuon dhe me ekspertizë duke asistuar në procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por në të njëjtën kohë, kemi dëgjuar me durim edhe hapat që duhen bërë në vijim sepse, siç e ka thënë disa herë kryeministri Rama që ditën e dorëzimit të raportit të KE, gjatë vizitës së përfaqësueses së politikës së Jashme të BE-së, Mogherini, e deri në ditën e sotme, dy janë elementët dhelbësorë që shoqërojnë procesin: Nevoja për të mbajtur ritmin e reformave dhe për t’i thelluar më tej këto reforma sepse, nuk janë reforma që bëhen për Brukelsin, Berlinin, Parisin apo Hagën, por janë reforma përmes të cilave, shoqëria shqiptare vijon të zhvillohet dhe transformohet.

Kemi besim që Gjermania është një partner që ka lexim të qartë qoftë për arritjet që kemi bërë, ashtu edhe për atë çka ne kemi bërë më mirë dhe besojmë fuqimisht në mbështetjen e Gjermanisë në procesin e vështirë para nesh për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Faleminderit Michael.

Vizita juaj këtu, kontakti i gjerë me shumë aktorë dhe jo thjesht aktorë politikë, është tregues jo vetëm i vëmendjes tuaj për Shqipërinë, por dëshmi e partneritetit që jemi përpjekur për ta çimentuar ndër vite.

 

Fjala e ministrit gjerman, Roth

Mirëmëngjes zonja dhe zotërinj,

Mirëmëngjes i dashur koleg, i dashur Ditmir,

Më lejoni të them në fillim që gjëja më e rëndësishme që dëshiroj të theksoj është pikërisht fakti që Shqipëria mund të vazhdojë të mbështet në ndihmën dhe përkrahjen e Gjermanisë. Gjithashtu dëshiroj t’ju falenderoj përzemërsisht për mikpritjen tuaj. Jam ndjerë gjatë gjithë kohës tepër i mirëpritur. Është një përmbyllje mjaft e bukur e udhëtimit dhe vizitës time tejet intensive këtu në Shqipëri.

Vendi juaj përfaqësohet në mënyrën më të mirë të mundshme, më të shkëlqyer të mundshme, pikërisht prej kolegut Ditmir Bushati qoftë në nivel ndërkombëtar, qoftë në nivel evropian.

Bashkëpunimi me ju është jo vetëm një bashkëpunim besimplotë, por është një bashkëpunim i cili me të vërtetë na shkakton gëzim edhe kënaqësi. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është një rrugë e vështirë. Sigurisht që shoqërohet edhe me vështirësitë e veta por është një rrugë që në fund të fundit, ja vlen.

Në vitet e shkuara Shqipëria ka shënuar një sërë arritjesh të shënueshmë të rëndësishme dhe këtu, në sfond në plan të pare, janë arritje që kanë të bëjnë me përforcimin e sistemit të demokracisë, të shtetit ligjor, të sistemit të drejtësisë dhe pavarësisë së tij. Procesi i Vettingut që është duke u zbatuar, realizuar, pra në Shqipëri, është një proces unik nga karakteri i tij, i cili shërben si model për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Dje kam pasur rastin të mund të bisedoj pikërisht me përfaqësues të organeve të Vettingut, sikurse edhe me ekspertë ndërkombëtarë në këtë fushë dhe ata më konfirmuan që ky proces ka nisur tashmë dhe ka filluar të tregojë rezultatet e veta.

Lidhur me këto tema, kam pasur mundësinë dje të bisedoj gjithashtu në mënyrë intensive edhe me Kryeministrin Rama. Fokusi i bisedës sime me ministrin e Brendshëm ndërkohë, ka qenë problematika që ka pasur të bëjë me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Sigurisht të gjitha këto janë fusha në të cilat ne kemi ende pritshmëri për suksese të mëtejshme. Jemi mjaft mirënjohës lidhur me faktin që Task-Forca në këtë drejtim ka nisur veprimtarinë e vet sepse edhe Gjermania ka vërtet një interes mjaft të madh pikërisht në fushën kundër korrupsionit, terrorizmit dhe krimit të organizuar në të cilën ajo ofron edhe mbështetjen e saj.

Zhvillimet e vendit tuaj në të gjitha këto kontekse janë verifikur tanimë nga Komisioni Evropian i cili në 17 prill ka dhënë edhe rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim të vendit tuaj. Qeveria Federale është duke verifikuar të gjitha këto arritje, sigurisht në koordimin të ngushtë me Bundestagun gjerman dhe pikërisht në bashkëpunim me të ne do të pozicionohemi në të ardhmen  lidhur me çeljen  e këtyre negociatave. Argumentat për celjen e negociatave sigurisht që nuk mungojnë. Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por mënyrë të vecantë sigurisht për Shqipërinë, është në interesin jo vetëm të Shqiërisë dhe Qeverisë shqiptare por, është edhe në interesin tonë, dhe ne duhet gjithsesi t’jau shpjegojmë këtë qytetarëve tanë.

Unë sigurisht e përfytyroj mjaft mirë dhe mund t’a mendoj mjaft mirë se çfarë u është dashur deri më tani të realizojnë qytetarët e Shqipërisë, pikërisht që proceset e transformimit të mund jenë të sukseshme sikurse deri më tani. Dhe dëshiroj gjithashtu të shfrytëzoj rastin për të vlerësuar dhe  shprehur falenderimin tim përkundrejtë qytetareve dhe qytetarëve të Shqipërisë pikërisht për të gjitha ato çka ata kanë bërë që përpjekjet për t’u bërë anëtarë të familjes evropiane të jenë të suksesshme. Sigurisht ne duhet të bëjmë përpjekje të mëtejshme në mënyrë që të mund t’u ofrojmë mundësi formësimi edhe brezave më të rinj të cilët janë domosdoshmërisht të nevojshëm për ndërtimin e vendit dhe Evropës më tej dhe në këtë kontekst, një aspekt mjaft të rëndësishëm luan shteti ligjor, krijimi i një administrate funksionale, krijimi i një sistemi drejtësie të pavaruar, ç’ka do të ishin premisa të domosdoshme edhe për investime të huaja të mëtejshme në vendin tuaj.

Unë pres prej qeverisë shqiptare që të mund të vijojë në mënyrë konsekuente politikën e reformave. Gjithashtu pres edhe prej opozitës shqiptare të mund të ndërmarrë në mënyrë të drejtëprëdrejtë përgjegjësitë e veta për të kontribuar, pra drejtëpërsëdrejti në të gjitha këto procese.

Dje kam pasur mundësinë të bisedoj edhe me drejtuesin e opozitës, me kryetarin e Partisë Demokratike, z. Basha. Ka qenë një bisedë mjaftë e mirë. Sado të mund të ekzistojnë pra konflikte në politikat e brendshme, ç’ka është sigurisht shenjë e një gjallërie apo e një sistemi demokratik të gjallë, gjithsesi në çështje të tilla siç është integrimi evropian, do të duhet të kalohet përtej konflikteve në mbërritjen e një konsensusi të përgjithshëm.

Ditmir. Ju mund të jeni vërtetë krenar për të rinjtë e vendit tuaj dhe për shoqërinë civile që është krijuar pikërisht në Shqipëri. Këshilla ime do të ishte në momentin e çeljes së negociatave, përfaqësues të brezit të ri, përfaqësues të shoqërisë civile, të mund të përfshiheshin në të gjithë këtë proces në mënyrë të tillë që ky të mos shnëdërrohet  thjesht në një proces teknik, por të jetë një proces ku gjithësecili ta ndiejë që është pjesë e këtij udhëtimi të përbashkët i cili ka për destinacion pikërisht paqen, stabilitetin, mirëqenien, solidaritetin, demokracinë dhe shtetin ligjor.

Unë ju falënderoj, falënderoj të gjithë njerëzit për kontributin që kanë dhënë dhe nëse do të më jepet rasti të jap kontributin tim, do t’a bëja me shumë kënaqësi. 

 

Pyetje nga gazetarët

 

Gazetari: Një pyetje për ministrin gjerman. A ju duket e drejtë që Shqipëria, për të cilën thoni se ka bërë hapa në reformën ne drejtësi, siç pohon dhe rekomandimi europian, ende nuk është në tryezën e bisedimeve, ndryshe nga Serbia? Pyetja është edhe për ministrin Bushati.

Ministri gjerman, Roth:  Shqipëria ka pas vetës një rrugë të suksesshme. Data 17 prill ka qenë data kur Komisioni Europian ka dhënë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë, për çeljen e negociatave. Tani është në dorën e shteteve anëtare të BE-së për të verifikuar këtë vlerësim të Komisionit Europian, për të dhënë në fund të qeshorit edhe votën e tyre. Unë dëshiroj shumë që kjo të bëhet, të kryhet dhe ju siguroj që si nga ana e qeverisë federale, po ashtu dhe nga ana e Budenstagut, të gjitha këto propozime do të verifikohen dhe vlerësohen në mënyrë dashamirëse.

Ministri Bushati: Kam vetëm një përgjigje të shkurtër për pyetjen që bëhet. Shqipëria nuk është në garë dhe nuk lakmon pozicionin e asnjë prej vendeve në rajon. Shqipëria është në garë vetëm me vehten sepse në të shkuarën, është humbur shumë kohë dhe ne dëshirojmë që të ecim përpara.

E dyta, besoj është e nevojshme që të kuptojmë se përpara nesh do të kemi një rrugë të përpjetë e të vështirë dhe duhet të përgatitemi jo vetëm për një stad më të lartë të reformave por, edhe për rezistencë që mund të vijë nga grupe të ndryshme të cilat preken nga procesi i modernizimit dhe procesi i transformimit.

Dhe e treta, duke marrë edhe këshillën dashamirëse të Michaelit në konsideratë, ne sapo kemi filluar një proces për të lançuar, një platformë partneriteti me të gjitha grupet e interesit, përfaqësues të shoqërisë civile, botës akademike, biznesit, të rinj dhe të reja, sepse besojmë fuqimisht që ky nuk është një proces që i përket vetëm qeverisë apo një proces institucional, por ky është një proces para së gjithash transformimi shoqëror ku çdo qytetar i këtij vendi, duhet të thotë fjalën e tij dhe duhet të japë kontributin e tij për këtë proces.

Gazetari: Z.Bushati, si u ndihet ju kur znj. Merkel në fjalën e saj nuk përmendi vetëm Vetingun por edhe pesë prioritetet?

Ministri Bushati:  E para, kam pasur fatin të shoqëroj Kryeministrin në takimin që pati me kancelaren gjermane. Mund t’ju them që takimi ka qenë jashtëzakonisht produktiv. Në të gjitha nivelet me administratën gjermane ka një diskutim krejt të hapur, shqyrtohen të gjitha arritjet, identifikohen problematikat dhe përpiqemi për të skicuar rrugë zgjidhje. Unë di të them që i njëjti qëndrim që është mbajtur sot këtu nga miku im Michael, është mbajtur edhe nga kancelarja gjermane gjatë takimit që kishte me kryeministrin Rama, sikundër ne e dimë shumë mirë që ditën që do të hapen bisedimet për antarësim, do të fillojmë të diskutojmë me Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE-së, për të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kapitujt 23 dhe 24 që në fakt, pesë prioritetet, janë thelbi apo tharmi i një pune më të madhe që na pret për kapitujt 23 dhe 24 dhe kjo është arsyeja që po themi dita ditës se nuk ka vend thjesht për të festuar por, duhet të mobilizojmë të gjitha forcat sepse gama dhe natyra e çështjeve para nesh, do të jetë shumë komplekse. Testi para nesh nuk do të jenë negociatat sepse nuk kemi se çfarë të negociojmë për standardet me BE,  testi para nesh do të jetë se sa të aftë jemi për të kryer procesin e transformimit dhe modernizimit brenda një afati të arsyeshëm që në fakt, i shërben dhe asaj që u tha këtu, gjeneratave të ardhshme.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00