Ministri Bushati pret në takim Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane të Republikës Federale të Gjermanisë Micheal Roth

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti më 19 dhjetor 2016, në një takim zyrtar Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane të Republikës Federale të Gjermanisë, Micheal Roth.

Ndër çështjet e diskutuara në takim ishin mbështetja dhe vëmendja e Gjermanisë në rrugën e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, Procesi i Berlinit, zhvillimet në rajon, si dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh me fokus në procesin e reformave për integrimin e Shqipërisë në BE.

Kjo vizitë vjen në një moment tepër të rëndësishëm për Shqipërinë, pas marrjes së mbështetjes dhe inkurajimit nga vendet anëtare për progresin e qëndrueshëm që ka bërë vendi ynë në lidhje me përmbushjen e prioriteteve kyçe, i cili u materializua në rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të këtij viti.

Gjatë takimit, Ministri Bushati vlerësoi vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë lidhur me perspektivën europaine të rajonit tonë dhe integrimin e Shqipërisë në BE, e cila në këtë kohë sfidash përbën faktor sigurie dhe qëndrueshmërie.

Më tej, duke u ndalur në hapat konkrete të ndërmarra nga qeveria shqiptare në përmbushje të prioriteteve të anëtarësimit, Ministri Bushati u shpreh se: "dëshiroj të theksoj gatishmërinë e qeverisë shqiptare për vijueshmërinë e kursit reformist në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe për anëtarësim, të cilat janë  thelbësore jo vetëm për çeljen e negociatave por përgjatë gjithë procesit të anëtarësimit".

Ministri Roth, duke konfirmuar vëmendjen e veçantë që Gjermania i kushton proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor, vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe bashkimin e saj të plotë me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së Jashtme dhe të Sigurisë.

Ai, gjithashtu, vlerësoi vendosmërinë dhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria në rrugën e konsolidimit të shtetit ligjor, duke e cilësuar në këtë kontekst zbatimin e plotë të reformës në drejtësi vendimtare për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt proceseve integruese si dhe shprehu mbështetjen gjermane në këtë drejtim.

Dy Ministrat shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe theksuan impaktin pozitiv të Procesit të Berlinit, i cili ka jetësuar një bashkëpunim të përforcuar mes vendeve të rajonit.

Ministri Bushati falënderoi Ministrin Roth për heqjen e rezervës për vulën Apostille nga ana e shtetit gjerman, e cila do të mundësojë lehtësimin e procedurave konsullore për qytetaret tanë.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00