Ministri Bushati: "Strategjia e Zgjerimit, presim hapa konkretë në procesin e aderimit të Shqipërisë në BE"

Zhvillohet seminari rajonal “Bashkëpunimi Territorial, perspektivat e reja për nxitjen e integrimit”.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi sot në hotel “Plaza” takimin rajonal mbi Programet e Bashkëpunimit Territorial, në të cilat aderon Shqipëria, me fokus  mirëkoordinimin e instrumenteve financues të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij në këtë takim, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati tha se viti në të cilin kemi hyrë, është vit vendimtar jo vetëm për për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit.

“Prezantimi i Strategjisë së Zgjerimit muajin e ardhshëm, vendos në fokus politik dhe në një perspektivë konkrete politikën e zgjerimit. Ne presim nga kjo Strategji propozime konkrete për hapat e radhës në ecurinë e procesit të aderimit për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, në në një perspektivë afatshkurtër e afatgjatë”, tha ministri duke shprehur bindjen se veçanërisht, vijimi i implementimit të reformës në drejtësi, do të bëjë të mundur që dhe Shqipëria t’i bashkohet dy vendeve fqinje që tashmë kanë hapur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, Mali i Zi dhe Serbia.

Për të rritur ndjeshëm impaktin e programeve ndërkufitare dhe transnacionale në zhvillimin lokal dhe rajonal, ministri Bushati veçoi tre fusha bashkëpunimi: fokus më i madh në impaktin e programeve të financuara nga asistenca e BE-së, orientim dhe koordinim më i mirë në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe transparencë e komunikim.

Në fjalën e saj, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin vlerësoi si të rëndësishme programet ndërkufitare dhe transnacionale, pasi sipas saj, ato jo vetëm rrisin cilësinë e jetës në vendet e rajonit, por ndërtojnë besimin mes njerëzve, mundësojnë shkëmbimin e njohurive, vlerave kulturore dhe traditave mes tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i pranishëm në takim, tha se programet ndërkufitare dhe asistenca financiare e BE-së në përgjithësi, janë instrument kryesor i përmbushjes së vokacionit tonë drejt BE-së.   

Në aktivitetin e sotëm morën pjesë gjithashtu, Suhejl Fazliu, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë, personalitete të ndryshme, vendas dhe të huaj, përfaqësues nga ministritë e linjës, përfaqësues nga bashkitë, agjencitë rajonale, organizatat jofitimprurëse, etj.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00