Ministri Bushati takon homologen suedeze Wallström: dinamikë në rritje e marrëdhënieve dypalëshe

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë Margot Wallström, në kuadër të vizitës së saj në Shqipëri. Kjo është vizita e parë e një ministri të jashtëm suedez që nga viti 2006, e cila përkthehet me një rritje të bashkëpunimit midis dy vendeve gjatë viteve të fundit.

 

Ministrat analizuan dinamikën në rritje të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat duke i dhënë prioritet bashkëpunimit ekonomik dhe shanseve për edukimin dhe punësimin e të rinjve në sektorë të ndryshëm. U vlerësua vijimësia e kontributit në rritje të Suedisë për Shqipërinë përmes projekteve zhvillimore dhe asistencës së dhënë në sektorë të ndryshëm.

 

Ministrat i kushtuan vëmendje të veçantë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe u pajtuan për ndikimin transformues që ka politika e zgjerimit në vendet e rajonit të Ballkanit. Ministri Bushati informoi mbi hapat dhe masat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare dhe vlerësoi rolin mbështetës të Suedisë në mbështetje të procesit të Zgjerimit. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të qeverisë suedeze në procesin e reformave transformuese në Shqipëri dhe konfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për progres të mëtejshëm në zbatimin e reformës në drejtësi.

 

Ministrja Wallström vlerësoi përpjekjet e qeverisë dhe theksoi rëndësinë e vijimësisë së reformave, duke veçuar zbatimin e reformës në drejtësi. Ajo shtoi se zbatimi i ligjit të vetting-ut dhe dialogu politik brenda institucioneve lidhet ngushtë me ecurinë e integrimit europian të vendit.  “Ne besojmë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian”, shtoi ajo. Në këtë kuadër, ajo informoi se më 29 maj 2017 do të mbahet në Stockholm Konferenca e Dytë për Integrimin e Ballkanit Perëndimor.

 

Ministrat diskutuan gjithashtu mbi situatën dhe zhvillimet e fundit në rajon. Ministrja Wallström vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si faktor i qëndrueshëm stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal, si dhe konfirmoi mbështetjen e fortë të Suedisë për Politikën e Zgjerimit të vendeve të rajonit.

 

Në fund të takimit, Ministri Bushati, me anë të një ekspozite brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, e njohu homologen e tij suedeze me historikun e marrëdhënieve midis dy vendeve. 

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00