Në kuadër të punimeve të Ministerialit të NATO-s në Bruksel, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme holandeze, Hable Zijlstra. Ministri e informoi homologun e tij holandez mbi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për plotësimin e pesë prioriteteve kyçe, veçanërisht zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesin e Vettingut. Ministri Bushati u shpreh se qeveria shqiptare mendon se Shqipëria është tashmë e përgatitur për të hedhur hapin vijues në procesin e integrimit. Ai theksoi se qeveria e konsideron hapjen e bisedimeve si fillimin e një procesi transformues në rrugëtimin evropian të vendit.
Ministri Zijlstra theksoi se perspektiva e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në BE është e padiskutueshme. Duke nxjerrë mësime nga eksperiencat e mëparshme të zgjerimit, të cilat rezultuan të nxituara sidomos lidhur me plotësimin e kritereve për forcimin e shtetit ligjor dhe mirëqeverisjes, Holanda dëshiron të hedhë hapa të matur por të vendosur përsa i përket politikës së mëtejshme të zgjerimit. Ai vlerësoi lart bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, në mënyrë të veçantë mes organeve policore dhe e inkurajoi Ministrin Bushati që qeveria të vijojë me ritmin dhe dinamikën e reformave. Vijimësia në arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do ta bëjë të natyrshme mbështetjen për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, theksoi ai.
Ministrat biseduan lidhur edhe me forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve duke pasur parasysh se Holanda është investitori i dytë më i madh në Shqipëri. Ministri Bushati foli për paketat stimuluese të qeverisë për rritjen e investimeve në vend dhe i kërkoi homologut holandez shtimin e kontakteve mes strukturave shtetërore dhe operatorëve ekonomikë privatë.
Na duhet të bëjmë me shumë dhe bashkërisht, theksoi Bushati, për të përmirësuar perceptimin publik për vendet e rajonit tonë në shoqëritë perëndimore, përfshirë Holandën.