Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë në Greqi me 21-22 mars 2016, ku gjatë ditës së parë të saj, u takua me Presidentin Prokopios Pavlopoulos, Kryetarin e Parlamentit Nikos Voutsis dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Nikos Kotzias.
Takimi mes dy ministrave të jashtëm u përqendrua në vijimin e procesit të nisur, të trajtimit pa tabu dhe gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e trashëguara mes palëve, çështjet e aktualitetit dhe të së ardhmes sonë të përbashkët, bashkëpunimit ekonomik, zhvillimet në rajon dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Palët shprehën rëndësinë e vijimit të dialogut midis dy qeverive të vendeve tona, në kuadër të rritjes së frymës së besimit dhe nevojës së konkretizimit të veprimit, për të avancuar drejt zgjidhjeve për çështjet dypalëshe.
Dy ministrat ndanë vlerësimin e përbashkët se fuqizimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me rëndësi strategjike ndërmjet vendeve tona, fqinjë, anëtarë të NATO-s, dhe gjithnjë e më afër në planin evropian, është me rëndësi jo vetëm në planin dypalësh, por i shërben edhe një rajoni të vendosur të shohë përpara e të ndërtojë, përmes bashkëpunimit, të ardhmen e vet evropiane. Ministri Bushati vlerësoi dhe shprehu falënderimet, në këtë kuadër, për rolin dhe mbështetjen e Greqisë ndaj proceseve integruese të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në takimin me Presidentin Pavlopoulos, Ministri Bushati theksoi vëmendjen e veçantë që Shqipëria i kushton thellimit të bashkëpunimit strategjik me Greqinë si dy vende fqinje anëtare të NATO-s dhe me peshë specifike në rajon. "Bazuar në këtë këndvështrim, ne do të dëshironim të bënim hapa para me disa çështje me karakter historik, që për disa dekada nuk janë adresuar, të aktualitetit, dhe çështje të së ardhmes sonë të përbashkët", u shpreh Ministri Bushati. Në vijim, duke u ndalur në trajtimin e çështjeve dypalëshe, Ministri Bushati u shpreh se: "jam shpresëplotë që me palën greke do të avancojmë me abrogimin e ligjit të luftës, për të na dhënë mundësinë që të mbyllim kështu çështjet e kapitujve historikë, të Luftës së Dytë Botërore”. Presidenti Pavlopoulos shprehu vullnetin për të patur marrëdhënie të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, në funksion të së ardhmes së përbashkët euro-atlantike.
Në takimin me Kryetarin e Parlamentit grek Nikos Voutsis, palët ndanë rëndësinë dhe rolin që mund të luajnë Parlamentet e dy vendeve në forcimin dhe konsolidimin e raporteve dypalëshe. Në këtë kontekst, Ministri Bushati shprehu bindjen se Parlamenti grek do të mbështesë çdo nismë ligjore që kontribuon në thellimin e kuadrit ligjor dypalësh si shprehje e vullnetit të të dy popujve tanë. Bashkëbiseduesit u shprehën besimplotë në progresin e marrëdhënieve dypalëshe, në interes të dy popujve tanë, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.
* * * * * *
Në ditën e dytë të qëndrimit në Greqi, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis.
Gjatë takimit palët diskutuan për zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe Greqi, situatën në rajon dhe më gjerë. Kreu i Demokracisë së Re, Mitsotakis e njohu Ministrin Bushati me vështirësitë në të cilat kalon Greqia dhe rolin e kësaj force politike në përballimin e krizës. Ministri Bushati u ndal në vëmendjen e veçantë që i kushton Shqipëria zhvillimeve në Greqi dhe shprehu solidaritetin për momentet e vështira që kalon vendi fqinj.
Bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin e përbashkët se fuqizimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me rëndësi strategjike ndërmjet vendeve tona, fqinjë, anëtarë të NATO-s, dhe gjithnjë e më afër në planin evropian, është me rëndësi jetike në planin dypalësh, si dhe i shërben të ardhmes evropiane të rajonit.
Ministri Bushati u ndal në rëndësinë strategjike të raporteve dypalëshe dhe vëmendjen e veçantë që i kushton Shqipëria thellimit të mëtejshëm të kësaj marrëdhënie, si dhe nevojën për një komunikim të hapur me të gjithë aktorët në të dy anët në funksion të rritjes së frymës së besimit.
* * *
Ministri Bushati ishte i ftuar nga Fondacioni grek për Politikën e Jashtme dhe Evropiane, ELIAMEP për të diskutuar mbi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke në kontekstin aktual.
Të ftuar në aktivitet ishin përfaqësues të Trupit Diplomatik në Greqi, studiues, gazetarë dhe njohës të raporteve dypalëshe.
Në fjalën e tij Ministri Bushati u ndal në dimensionin historik të raporteve dypalëshe, ndërvarshmërinë e kësaj marrëdhënie strategjike dhe jetike për dy popujt tanë, rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit.
Gjithashtu, ai evidentoi rëndësinë e vijimit të procesit të nisur, të trajtimit pa tabu dhe gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e trashëguara mes palëve, çështjet e aktualitetit dhe të së ardhmes sonë të përbashkët, bashkëpunimit ekonomik, zhvillimet në rajon dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. "Para se të mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme së bashku, duhet së pari t'i japim fund Luftës së Dytë Botërore", theksoi Ministri Bushati
Ministri Bushati iu përgjigj pyetjeve dhe interesit të Trupit Diplomatik, gazetarëve dhe studiuesve, mbi raportet dypalëshe, situatës në rajon dhe perspektivës evropiane të vendit tonë.