Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës çeke, Tomáš Petříček. Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës rajonale të Ministrit të Jashtëm çek Petříček në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Shqipëri, i cili pati në fokus marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, integrimin në BE, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe situatën në rajon.
Bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe me ecuri pozitive ndër vite mes dy vendeve dhe ranë dakord për hapjen e një kreu të ri bashkëpunimi mes tyre.
Ministri në Detyrë Cakaj falënderoi homologun e tij çek për mbështetjen e rikonfirmuar të Çekisë ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe të marrjes së kryesisë së OSBE-së si edhe në bashkëpunimin rajonal.
Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi rolin e Çekisë brenda Grupit të Vishegradit, i cili aktualisht kryesohet nga Sllovakia nën moton: “Vishegradi dinamik për Evropën”, si dhe mbështetjen e Çekisë për Fondin e Ballkanit Perëndimor, të krijuar në gjurmët e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit.
Ministri Petříček u shpreh i impresionuar nga ecuria e reformave në vend, duke vlerësuar dhe inkurajuar zbatimin deri në fund të të gjitha hapave të ndërmarra nga qeveria Shqiptare për të realizuar hapjen e negociatave me BE-në në qershor 2019.
Sikurse edhe më parë, Ministri Petříček konfirmoi se Çekia është e gatshme për lobim në nivele të ndryshme për jetësimin e këtij hapi të rëndësishëm për Shqipërinë.
Palët konfirmuan se avancimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut në proceset integruese është një sinjal pozitiv për rajonin, por dhe për sigurinë e vetë BE-së dhe procesin e zgjerimit.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira në aspektin dypalësh dhe u shpreh interesi që ky bashkëpunim i shkëlqyeshëm politik të kthehej në bashkëpunim ekonomik.
U vlerësua mbështetja konkrete që Çekia do të ofrojë për asistencë në procesin e integrimit, në marrjen e një vendi jo permanent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në të ardhmen si dhe u shpreh vullneti për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik e të investimeve në fusha me interes të përbashkët si energjia, turizmi, bujqësia, e të tjera.