Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi Konferencën me temë “Mbrojtja e pakicave kombëtare - shprehje e demokracisë funksionale në Shqipëri”

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi Konferencën me temë “Mbrojtja e pakicave kombëtare - shprehje e demokracisë funksionale në Shqipëri” mbi procesin  e hartimit të paketës së akteve nënligjore në zbatim të ligjit nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”

Në Konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të Kuvendit, qeverisë, Trupit Diplomatik, të Delegacionit të BE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Prezencës së OSBE-së, përfaqësues të shoqatave të pakicave kombëtare dhe të shoqërisë civile. Konferenca u zhvillua  në vijim të tryezave, dëgjesave publike,  konsultimit të vazhdueshëm dhe të frytshëm, si gjatë procesit të hartimit të projektligjit mbi pakicat kombëtare, ashtu edhe gjatë procesit për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare, miratuar në tetor 2017.  

Në fjalën e tij, Ministri Bushati shprehu vullnetin dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për përmirësimin e kuadrit nënligjor në zbatim të ligjit mbi pakicat kombëtare, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës.  Qasja ndaj të drejtave të pakicave kombëtare mund të sigurohet vetëm në një shoqëri ku dialogu, mirëkuptimi dhe diversiteti kulturor shihen si burime vlerash dhe bashkëjetese, tha Ministri shqiptar.

Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen e Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së  për ndërmarrjen e hapave të rëndësishme për përmirësimin e kuadrit ligjor mbi pakicat dhe mbi rëndësinë e finalizmit të këtij procesi nëpërmjet konsultimit të gjerë dhe ekspertizës ndërkombëtare. 

Është detyra e institucioneve tona për të bashkëpunuar me shoqatat e pakicave kombëtare, organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë  aktorët për të çuar përpara zbatimin e kuadrit ligjor sipas standardeve evropiane, për ushtrimin në praktikë të së drejtave të pakicave kombëtare, duke kontribuar sipas motos “unitet në diversitet”,  u shpreh Ministri Bushati.

Më tej në panelet respektive, përfaqësuesit e institucioneve informuan të pranishmit mbi mbi procesin e hartimit të akteve nënligjore në zbatim të ligjit, sipas fushave. Kuadri nënligjor për pakicat  synon të sigurojë ushtrimin e të drejtave specifike të personave që u përkasin një pakice kombëtare, të cilat janë të nevojshme për mbrojtjen e identitetit dallues të tyre, mosdiskriminimin dhe barazinë e plotë para ligjit dhe hartimin e politikave dhe të masave konkrete për zbatim.

Gjatë diskutimit të hapur, përfaqësuesit e shoqatave të pakicave vlerësuan pozitivisht miratimin e ligjit mbi pakicat kombëtare dhe masat e ndërmarra për përmirësimin e gjendjes dhe garantimin e të drejtave të tyre në praktikë. Gjithashtu, të pranishmit parashtruan pyetje për çështje specifike lidhur me vetë-identifikimin e pakicave kombëtare, arsimimin në gjuhën amtare, pjesëmarrjen në jetën publike, ekonomike, sociale, etj.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00