Sot, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua aktiviteti i promovimit të librit “E vërteta për Nolin” të gazetares së mirënjohur të politikës së jashtme, Entela Komnino.
Të pranishëm, trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë, autoritete të larta të kulturës e përfaqësues të medias ndoqën paraqitjen e botimit të veçantë për autorin kompleks shqiptar Fan Noli. Zëvendës Ministri Etjen Xhafaj në përshëndetjen e tij theksoi se 'E Vërteta e Nolit vjen sipas të vërtetës së Shqipërisë dhe të kulturës shqipe, në një vështrim publicistik, retorik, shkencor e filologjik dhe këtë e bën po një publiciste, prej rreth 25 vjetësh aktive në gazetarinë televizive, doktore e shkencave të letërsisë'.
Fan Noli, që ka ushtruar për një periudhë edhe detyrën e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, por edhe Kryeministër i saj, 'mund të quhet një nga ‘autorët’ e mëdhenj shqiptarë të vetë Shqipërisë, kur kërkoi me sukses presidentit të atëhershëm amerikan Uillson të ruajë mëvetësinë e vendit të vogël ' theksoi zv. Ministri Xhafaj.
Vetë autorja e librit, gazetarja Dr. Entela Komnino tha se referimi i Fan Nolit është një model i duhur në kushtet e diskutimit mbarëshqiptar të vlerave shqipe, edhe pse kanë kaluar 100 vjet nga koha e shkrimeve të tij publicistike. Në këtë kuptim rruga për të kuptuar të vërtetën e Nolit është e njëkohshme me atë të së vërtetës së shqipes. Studimi i publicistikës së tij, rezultoi se 'publicistika shqiptare e asaj kohe bëri gjithë funksionet e shtetit të munguar shqiptar, duke u ngritur në autoritetin e ruajtjes së Shqipërisë nga asgjësimi', tërhoqi vëmendjen gjatë paraqitjes autorja.
Dr. Entela Komnino paraqiti sipas përfundimeve të librit se 'një pjesë e madhe e kontributit për ruajtjen e Shqipërisë vjen nga një kod kulturor- publicistik në shkrimet e asaj periudhe i përcjellë nga gjuha shqipe dhe i paasgjësueshëm nga armiqtë e vendit'.
Ish-Ministri i Jashtëm Paskal Milo, historian, vlerësoi studimin e figurës së Nolit në një kontekst më të gjerë historik se ai i shqyrtimeve publicistike e gjuhësore. Këto studime me përfundime të reja e konkrete janë të nevojshme për të njohur historinë e vërtetë e kontributeve të shquara shqiptare, theksoi Profesor Milo.
Publicisti i njohur Preç Zogaj solli gjithashtu një pasqyrë të kontributit që sjell libri i autores Entela Komnino, si për figurën e Nolit ashtu edhe për kulturën e gjuhën shqipe. Sipas tij arritjet e librit mund të konsiderohen krejt të reja dhe zbulime jo të thjeshta në këto fusha.