Ministrja Gjosha takon Komisionerin e BE-së për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn

Ministrja Gjosha: Rekomandimi për çeljen e negociatave, shtysa më e mirë për zbatimin e të gjitha reformave

Ministrja Gjosha: Konsensusi dhe dialogu politik i shërbejnë zhvillimit të vendit

Komisioneri Hahn: Rezultatet e reformave,  e vetmja rrugë për progresin e Shqipërisë

 

Gjatë vizitës në Bruksel, Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, zhvilloi një takim me Komisionerin e BE-së për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn. 

Ministrja Gjosha u shpreh gjatë takimit, se Shqipëria meriton një raport pozitiv për përmbushjen e  5 prioriteteve, nga Komisioni Europian, vjeshtën e këtij viti. Treguesi më i qartë sipas Ministres Gjosha i angazhimit që ka vendi për të avancuar me procesin e integrimit është reforma në drejtësi si themeli i konsolidimit të shtetit të së drejtës.

"Miratimi konsensual i kësaj reforme ishte arritje e madhe për shqiptarët, për të gjitha partitë politike. Gjetja e konsensusit dëshmoi për një vullnet që i shërben zhvillimit të Shqipërisë dhe ne jemi të vendosur të nxisim dialogun politik edhe në vazhdim", tha Ministrja Gjosha.

Ministrja u shpreh se me këtë reformë, vendi plotësoi edhe kushtin madhor për hapjen e negociatave.
"Janë hapa pozitivë që Shqipëria ka bërë dhe ne jemi të bindur se marrja e një rekomandimi për çeljen e negociatave, një raport pozitiv nga Komisioni do ti shërbenin jo vetëm implementimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, por është shtysa më e mirë për zbatimin e të gjithë gamës së reformave të tjera që ne synojmë të ndërmarrim për të forcuar shtetin e të drejtës dhe për të zhvilluar ekonomikisht vendin", tha Ministrja Gjosha.

Komisioneri Hahn shprehu vlerësimet e tij për reformën në drejtësi, duke inkurajuar Shqipërinë për të ecur përpara me procesin e integrimit. Komisioneri u shpreh se përmes rezultateve të reformave Shqipëria do të avancojë në axhendën europiane, si e vetmja rrugë për progres.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00