Ministrja Xhaçka e ftuar në Euronews: Miratimi i kornizës negociuese për Shqipërinë, brenda muajit qershor

E ftuar në emisionin “Ilva Now” në Euronews me gazetaren Ilva Tare, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, foli rreth disa prej çështjeve më të rëndësishme që prekin vendin. 
Ministrja Xhaçka u shpreh se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka parë progres të qartë dhe se angazhimi nga të gjitha palët ka qenë maksimal, në mënyrë që bisedimet e pranimit të mund të fillojnë deri në muajin qershor.
E pyetur nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të shkëputen gjatë procesit të bisedimeve të negociatave, Ministrja Xhaçka vlerësoi se të dyja vendet do të mbahen në konsideratë bashkë për një sërë arsyesh. 
“Vende skeptike ka dhe do të ketë gjithmonë. Megjithatë nuk është asgjë që nuk tejkalohet me shumë bashkëpunim. Vlerësimi teknik dhe vlerësimi objektiv, nëse ne i kemi përmbushur apo jo detyrimet në këtë proces i vlerëson Komisioni Evropian. Në qoftë se subjektivizma të vendeve anëtare, të shprehura në formën e skepticizmit do t’i mbivendoseshin këtij vlerësimi, atëherë do të “minohej” vetë kredibiliteti i BE-së. Kështu që në këtë pikë ka një lobim nga vetë vendet anëtare të BE-së, që kjo të mos ndodhë. Po ju keni parë që gjatë javëve të fundit në Shqipëri ka pasur goxha aktivitet diplomatik. I referohemi Gjermanisë, Austrisë, apo Sllovenisë e cila do të marrë Presidencën e Këshillit pas Portugalisë. Ka shumë të tjerë të cilët janë dashamirës të procesit të zgjerimit, të cilët vlerësojnë që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe që duhet të avancojë një hap më tutje. Sepse në fakt ky nuk është integrim në Evropë. Është vetëm një hap për të marrë përsipër, më tepër detyra. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është pa diskutim i varur nga BE. Jemi një ‘enklavë’ e Evropës, gjeo-politikisht, gjeo-strategjikisht, sido që ta shohim, ne jemi pjesë e Evropës. Çfarë ndodh tek ne, detyrimisht impakton Evropën dhe çfarë ndodh në Evropë, na impakton ne. Kështu që të konsideruarit të Ballkanit Perëndimor një ekskluzivitet të BE-së, për mua sot, është një domosdoshmëri”, tha Ministrja Xhaçka gjatë intervistës.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00