Ministrja Xhaçka intervistë për News24: Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, moment i jashtëzakonshëm për vendin

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një intervistë në ambientet e MEPJ me gazetaren Nisida Tufa për televizionin News24, ku diskutuan rreth procesit negociues të Shqipërisë me BE-në, kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB, si dhe për shumë çështje të tjera të rëndësishme. 
Ministrja Xhaçka e cilësoi mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si një moment të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, pasi në 65 vite të anëtarësimit të saj në OKB Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë mundësinë për të qenë një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë. 
Sipas kryediplomates, Shqipëria e meriton plotësisht miratimin e kornizës negociuese dhe vendosjen e datës për Konferencën e parë Ndërqeveritare brenda muajit qershor.
“Në sytë e ndërkombëtarëve Shqipëria është një vend shumë dinamik që ka bërë një rrugë të jashtëzakonshme drejt përparimit, demokratizimit, evropianizimit dhe reformimit të çfarëdo sfere të jetës. Pra është një vend që e mbështet ëndrrën e integrimit evropian me shumë forcë, me shumë guxim dhe me shumë vullnet. Të menduarit që kjo ëndërr është plotësisht e realizueshme, është ajo që na shtyn të përballojmë edhe zhvillime që jo shpesh janë të lehta, janë zhvillime të domosdoshme por që kanë koston e tyre, që asociohen me vështirësitë e tyre edhe reformat të rëndësishme që kemi ndërmarrë, posaçërisht reforma në drejtësi. Kështu që ndërkombëtarët na shohin realisht ashtu siç jemi, një vend me një vullnet dhe dëshirë të jashtëzakonshme për të përparuar drejt asaj që në fakt është destinacioni ynë i natyrshëm. Synimi ynë është që të integrohemi në këtë familje të madhe si evropianë, pra jo duke e eksportuar Shqipërinë në Evropë, por duke importuar Evropën këtu dhe duke jetuar realisht sipas standardeve më të mira evropiane”, u shpreh ministrja Xhaçka gjatë intervistës.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00