Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani.
“Ndihem krenare që bashkëpunimi mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut është kthyer tashmë në një model të bashkëpunimit mes fqinjëve në rajonin tonë, duke dhënë edhe një kontribut në zhvillimin e ndërlidhjen e rajonit dhe veçanërisht në orientimin e tij në mënyrë të pakthyeshme drejt perspektivës euro-atlantike. Diskutuam për mënyrat sesi mund ta intensifikojmë edhe më tej bashkëpunimin mes nesh në fusha të interesit të posaçëm dypalësh, duke ndarë edhe një vizion të përbashkët për Korridorin 8, e cila përtej dimensionit të saj rajonal dhe evropian, infrastrukturor dhe ekonomik, çka duhet të shërbejë, edhe në një dimension të rëndësishëm sigurie në kontekstin e luftës në Ukrainë”-u shpreh Ministrja Xhaçka.
“Ne sot takohemi si ministra të jashtëm të dy vendeve anëtare të NATO-s, por gjithashtu edhe si ministra të jashtëm të dy vendeve që janë në prag të hapjes së kapitujve të parë të bisedimeve me BE. Këtu dua të vlerësoj maksimalisht rolin dhe kontributin e patjetërsueshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si faktorë të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit, përkrahës të proceseve të integrimit, ndaj përkujdesja për respektimin dhe zbatimin e të drejtave të tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe akteve të tjera ligjore, duhet të vazhdojë. Shqiptarët në MV, por edhe pakica maqedone në Shqipëri, mbeten një urë e fortë lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve tona- theksoi kryediplomatja shqiptare.
Në fjalën e tij Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, z. Osmani u shpreh se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të shfrytëzojnë përfitimet në kuadër të iniciativave rajonale, para së gjithash në Procesin e Berlinit.
“Bashkëpunimi ekonomik është i suksesshëm por i pamjaftueshëm. E kemi të nevojshme por dhe obligim që tu ofrojmë qytetarëve më shumë potencial për shkëmbim dhe bashkëpunim. Iu referuam dhe marrëveshjes së arritur së fundmi në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht interpretimeve të ndryshme të asaj çka është rakorduar dhe duhet të zbatohet, u pajtuam se ekziston marrëveshja dhe se palët duhet ta zbatojnë, për çka do të kenë mbështetjen tonë. Është e rëndësishme që marrëveshja të jetë gjithëpërfshirëse dhe në një moment të rezultojë me njohje reciproke. Të 6 vendet e rajonit duhet të kenë perspektivë të qartë evropiane. Nesër do të kemi takimin ministror të SHBA-Karta Adriatikut A5, ku do të diskutojmë sfidat rajonale por dhe situatën e re të marrëdhënieve ndërkombëtare të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë”- tha ministri Osmani.
Në përfundim, ministrja Xhaçka ndau me kolegun Osmani, edhe vlerësimin e Shqipërisë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars, duke u shprehur se kjo marrëveshje do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, perspektivën e tij euroatlantike dhe konsolidimin institucional demokratik