Ministrja Xhaçka takon Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për BP: BE të investojë strategjikisht në rajonin tonë, ekziston potencial i lartë për konflikt

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka pritur në një takim Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Ministrja Xhaçka theksoi se Evropa duhet medoemos të investojë strategjikisht në rajonin tonë, pasi potenciali për konflikt në BP është më i larti në 20 vitet e fundit.
Sipas saj, nevojiten veprime konkrete nga ana e BE, duke filluar nga caktimi i një date për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare për Shqipërinë, e deri te artikulimi i një vizioni të qartë e të prekshëm integrimi për çdo vend të rajonit.
“Potenciali për konflikt në rajonin tonë, ende përpara fillimit të luftës në Ukrainë, ka qenë më i lartë se kurrë në ndonjë pikë tjetër në 20 vitet e fundit. Kriza e shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërcënimet ndaj të gjitha shteteve që e kanë mbështetur vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, kanë rritur rrezikun e destabilizimit të disa shteteve të rajonit, ashtu siç përfshirja e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në listën e shteteve jomiqësore të Presidentit Putin ka nxjerrë qartë në pah objektivat e Rusisë dhe politikën e saj të ndërhyrjes në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh kryediplomatja shqiptare në deklaratën për media pas takimit.
Nga ana tjetër, Përfaqësuesi Special Sarrazin deklaroi se mbrojtja dhe konsolidimi i BE-së si një zonë e hapur lirie dhe e të drejtës, është e mundur vetëm me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Procesi i Berlinit bëri të qartë se cili është potenciali që fsheh bashkëpunimi gjithëpërfshirës i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Krijimi dhe garantimi i katër lirive themelore të BE-së në rajon është me rëndësi maksimale për mbarë rajonin”, tha ai.
Manuel Sarrazin u caktua nga qeveria gjermane gjatë muajit shkurt si Përfaqësuesi Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.
Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për këtë rajon, pasi pozita e tillë nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane.
Ministrja Xhaçka e cilësoi emërimin e një të dërguari të posaçëm nga Gjermania, si një sinjal të mirëpritur vëmendjeje dhe përkushtimi ndaj rajonit tonë.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00