Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini, zhvillon vizitë në Tiranë:
Në vijim deklaratat për shtyp pas takimit të Kryeministrit Edi Rama dhe Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini:
Kryeministri Edi Rama:
Është kënaqësi të të kemi këtu sot, si Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian, por edhe si një mike e provuar e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.
Po ashtu, një falënderim shumë të veçantë, me mirënjohje, për fjalën në Kuvendin e Shqipërisë mbi ecurinë e vendit, jo vetëm drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, por edhe në lidhje me përparimin tonë në rrugën e reformave dhe po ashtu, me rolin e Shqipërisë në rajon.
Padyshim që kjo vizitë përkon me momentin shumë të rëndësishëm, kur i gjithë opinioni publik, padyshim, edhe të gjithë përfaqësuesit e opinionit publik në Kuvendin e Shqipërisë dhe gjithë miqtë e partnerët e vendit tonë janë të përfshirë në përpjekjen për të kurorëzuar procesin e reformës në drejtësi, që s’ka dyshim përbën një çelës të pashmangshëm për të çelur portën e negociatave me Bashkimin Europian.
Dialogu i nivelit të lartë me Komisionin Europian, që do të zhvillohet sërish në Tiranë në fund të marsit, do të jetë një moment tjetër i rëndësishëm bilanci, në një rrugë që për ne nuk ka as kishim pas dhe as qëndrim në vend.
Ne e duam reformën në drejtësi si një imperativ jo vetëm për të sotmen dhe jo thjesht sepse është një çelës, për të shkuar më tej në rrugëtimin tonë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian, por edhe sepse ua kemi një detyrim parësor fëmijëve tanë, gjeneratës tjetër.
Sot jemi në kushtet kur kemi një raport të Komisionit të Venecias dhe mbi atë raport, unë uroj dhe shpresoj që të gjitha palët të ndjekin me përpikëri rekomandimet dhe me shpejtësi të vënë në jetë pjesën e parë të reformës, që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese. Nuk dua të flas më gjatë për këtë pjesë, sepse gjërat janë të thëna e të stërthënë, tani është momenti për t’i bërë.
Rëndësia e kësaj reforme dhe botërisht. Rëndësinë e kësaj reforme e dinë mbi të gjitha, shqiptarët që e mbështesim masivisht nevojën për këtë reformë. Ajo që neve na takon është që të jemi në lartësinë e aspiratës dhe të nevojës së shqiptarëve, për ta votuar këtë reformë në parlament, pa humbur kohë, pjesën e parë të saj, ndryshimet kushtetuese dhe për të vazhduar me të gjithë pjesët e tjera.
Unë dua të shpreh mirënjohjen për Komisionin, mirënjohjen për të gjithë njerëzit tuaj që janë drejtpërdrejt të angazhuar me Shqipërinë, dua të shpreh mirënjohjen për Delegacionin këtu, për ambasadoren, sepse realisht - dhe unë nuk njihem si person me aftësi të veçanta për t’ju bërë qejfin të huajve, - pa Komisionin, pa njerëzit tuaj, pa prezencën tuaj këtu, pa ambasadoren, ne nuk do të ishim në këtë faze dhe nuk do të ishim kaq pranë kurorëzimit të kësaj reforme.
Dua t’ju siguroj se ne nga ana jonë do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që na takon edhe në raport me pesë prioritete, edhe në raport me të gjithë atë hapësirë tjetër reformash, që nuk është brenda pesë prioriteteve, por që përcakton fizionominë e Shqipërisë europiane që duam të ndërtojmë, e një Shqipërie me shtet, e një Shqipërie me ligjshmërie, e një Shqipërie me konkurrencë të lirë e të ndershme dhe e një Shqipërie me institucione që funksionojnë dhe ku të gjithë i nënshtrohen po njësoj ligjit.
Natyrisht që sfidat nuk janë vetëm të brendshme, janë të lidhura edhe me ecurinë e ngjarjeve dhe të procesit të bashkëpunimit rajonal, janë të lidhura edhe me mënyrën se si bashkërisht me të tjerët, ne do të përballojmë edhe krizën e rëndë të refugjatëve.
Shqipëria është një vend i vogël, por asnjëherë nuk i ka bërë bisht përgjegjësisë së vet në çdo sfidë të përbashkët me partnerët tanë, qoftë në NATO, qoftë në BE. Ne i jemi besnik vlerave dhe parimeve të Europës që ëndërruan ata, të cilët na lanë trashëgim projektin e BE-së dhe pa as më të voglin dyshim mbetemi të gatshëm që të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë edhe në këtë sfidë.
Por nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që s’kemi as fuqinë dhe lavdi Zotit, nuk kemi as delirin që mund të shpëtojmë Europën, mund të shpëtojmë botën, të vetëm. Nuk do të hapim kufijtë dhe nuk do të ngremë mure. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë, brenda një plani të përbashkët europian.
Vendime unilaterale të vendeve të tjera janë pa lidhje me atë çka na takon të bëjmë të gjithë së bashku dhe nga ana tjetër nuk mund të jenë në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë imponim për ne.
Kjo është një sfidë euopiane, nuk është sfida e Greqisë, nuk është sfida e Italisë, nuk mund të jetë dhe s’ka si të jetë sfida e Ballkanit dhe aq më pak e Shqipërisë. Kjo është sfida e Bashkimit Europian.
Brenda këtij Bashkimi Europian jemi dhe ne, që për momentin jemi E pa B. Nuk jemi BE, por jemi E, sepse jemi europianë. Edhe pse duhet ta them se është impresionuese sesi, megjithëse nuk e kemi atë B-në përpara, jemi sjellë në këtë rajon si qytetare europianë të dorës së parë, ndërkohë që të tjerë që e kanë atë B përpara janë sjellë si kategoria B, në raport me vlerat dhe me parimet e BE-së.
Faleminderit shumë, edhe njëherë! Ne jemi këtu të gatshëm ta pranojmë të gjithë shprehjen e afeksionit që nuk e na e kurseve sot dhe të gatshëm të japim gjithçka për të ta kthyer si afeksion për atë që je dhe atë që përfaqëson, për Federica Mogherinin dhe për Bashkimin Europian, ashtu si ne e duam dhe siç fatmirësisht e përfaqëson dhe mishëron në mënyrën më besnike.
Shpresojmë që ky Bashkim Europian të triumfojë dhe ne të bëhemi pjesë e tij, një orë e më parë, sepse përshtypja ime shumë modeste është që e meritojmë. Meritojmë të hapim negociatat, meritojmë të bëhemi sa më shpejt anëtarë dhe jeni të sigurt që, duke u bërë anëtarë, do të jemi një mbështetje e fortë për Europën e ëndrrave dhe të shpresave, kundër Europës së frikës dhe të mureve.
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE, Federica Mogherini:
Faleminderit shumë!
Pikë së pari, sepse ashtu sikurse edhe ju e thatë, këto kohë janë kohë të vështira për Europën, pavarësisht nëse brenda ose jashtë BE-së, brenda Bashkimit ose jashtë Bashkimit, Europa nuk po kalon kohë të lehta për asnjë. Por ardhja ime sot këtu më jep në radhë të parë, një ndenje miqësie, e dyta sensin e mirënjohjes për atë çka ne jemi duke bërë së bashku dhe e treta më jep shpresë, një fjalë të cilën nuk jemi mësuar ta përdorim shpesh këto kohë të vështira.
Unë besoj se ajo çka po ndodh këtu, përtej tensioneve politike, përtej dinamikës së partive politike, nëse bëjmë një hap mbrapa, jo shumë larg, është diçka e madhe, e mirë dhe në një farë mënyre historike. Dhe kjo më bën të lumtur. Kjo është një fjalë që nuk e përdorim shumë në politikë, por unë ndjej mirënjohje për këtë gjë, sepse duke e parë nga jashtë Shqipërisë, me një ndjenjë miqësie dhe afërsie për këtë vend, unë mund të shoh sesa e madhe është ajo çka po bëni, sa vizionare dhe sa shumë vendi po arrin. Dhe unë ju falënderoj për këtë.
Nuk besoj se është rastësi që vetëm para pak ditësh, juve ju është dhënë i njëjti mesazh nga John Kerry dhe që mesazhi që BE dhe SHBA po i çojnë Shqipërisë dhe po i përçojnë qytetarëve shqiptarë është i njëjtë. Ju po bëni për vendin tuaj diçka të madhe dhe të mirë. E ndonjëherë, për këtë duhet të marrim frymë thellë, duhet të kemi vizion, kërkohet vendosmëri, kurajë, durim e vendosmëri për të ecur përpara, sepse kjo në fund të fundit është udhëheqja.
Prandaj është ajo ndjenja ime e mirënjohjes për ju si shqiptarë, për ato që keni bërë, për ju si institucione, por edhe për ju personalisht, për atë që ju po bëni për vendin tuaj, por edhe për Europën, sepse një histori suksesi e Shqipërisë është histori suksesi për Europën, për BE-në.
Për mua është vërtet një nder, nder i vërtetë që unë jam këtu në këto orë kyçe, në këto ditë kyçe, jetike për Shqipërinë dhe çfarë kisha për të thënë, e thashë në parlament, gjë që ishte për mua nder. Nder për t’ju drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, në shumë aspekte, por veçanërisht për elementet kyçe për të pasur një reformë të thellë, tërësore dhe historike për gjyqësorin. Unë besoj se kjo është e rëndësishme dhe mbi të gjitha, besoj unë, për shqiptarët është domosdoshmëri dhe nevojë absolute.
Mendoj se është e paprecedent brenda Shqipërisë dhe brenda cilitdo prej vendeve tona, sasia e madhe, shkalla e madhe e mbështetjes për një reformë të tillë, të thellë. Nuk ndodh shpesh që një udhëheqje politike të ketë mbështetje kaq masive, të madhe, të orientimit të opinionit publik për këto reforma.
Prandaj, mesazhi im kryesor për Kuvendin e Shqipërisë ishte dhe vazhdon të jetë, miratojeni reformën, bëjeni këtë gjë, jo sepse e kërkon Brukseli, por sepse qytetarët shqiptarë e kërkojnë këtë gjë dhe rreziku i kësaj moslidhjeje nga ana e aspektit politik, institucioneve dhe qytetarëve tanë është aq e madhe dhe aq e rrezikshme për kredibilitetin, besueshmërinë e institucioneve. Hapat që keni ndërmarrë ju, gjatë viteve të fundit, janë aq hapa të mëdha dhe aq të mirë, saqë nuk mund të prishin këtë rrugëtim që ka Shqipëria, me këtë vendosmëri dhe këto rezultat të mira që ka Shqipëria.
Kështu që është edhe emocionale për mua, për arsye të miqësisë që unë personalisht ndjej ndaj Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. E nuk është vetëm një ndjesi personale, që është e rëndësishme natyrisht, por është edhe një gjë, e cila nga aspekti institucional vjen edhe nga Bashkimi Europian, që suksesi i Shqipërisë ka për të qenë suksesi i Europës. Me B-në për Bashkimin Europian apo pa të, me shpresën, në fakt unë jam e sigurt nga ana ime, që në një moment të caktuar, ne do ta kemi edhe B-në, edhe E-në, sëbashku, që përputhen. E mund t’ju them që ky është angazhimi im personal, është angazhimi institucional i Bashkimit Europian për Shqipërinë, në mënyrë që kjo punë të bëhet, kjo gjë të funksionojë. Unë besoj vërtet që ne duhet e mund të hapim negociatat me Shqipërinë dhe që ne duhet e mund të kemi rolin e Shqipërisë plotësisht brenda BE-së, në mënyrë që Shqipëria jo vetëm të jetë pjesë e Europës, por edhe e Bashkimit Europian.
Tani më lejoni të them 2-3 fjalë për diçka, të cilën nuk e theksova mjaftueshëm në Kuvend, pasi fokusi im ishte për rolin dhe përgjegjësinë që ka Parlamenti në ditët e sotme. Roli që po luan vendi juaj në rajon dhe në arenën ndërkombëtar është i shkëlqyer. Ky është një element tek i cili ne e dimë që mund të mbështetemi dhe ky është vërtetë thesar në këto kohë dhe dëshiroj të falënderoj personalisht Ditmirin, për bashkërendimin dhe bashkëpunimin personal e të rëndësishme që ne kemi pasur dhe që ne e quajmë në terminologjinë tonë të çuditshme, përafrime, që do të thotë që ne biem dakord për çdo gjë.
Kjo gjë eshët e jashtëzakonshme. Është 100%, që do të thotë që ne jemi më shume sesa thjeshtë partnerë. Ne punojmë sëbashku si partnerë në NATO, si partnerë të përbashkët. Kjo është prova që ne qëndrojmë sëbashku në rajon, por edhe në botë.
Marrëveshja të cilën sapo e nënshkruam, për sigurinë e informacionit, me Ditmirin, besoj që është simbol i besimit reciprok që ne kemi vënë tek njëri-tjetri. Dhe është simbol i faktit që puna jonë e përbashkët do të vazhdojë të rritet, që rritet dita-ditës në sektorë të rinj, me hapa të reja, me fusha të reja bashkëpunimi.
Ka shumë gjëra për të cilat, ju mund të jeni krenarë. Kjo është ndoshta një pikë kthimi për mirë ose jo, por unë besoj se do të jetë një kthesë për të mirën. Unë besoj se ka shumë energji të mira, këtu dhe edhe një herë më duhet të them që hapat që ka ndërmarrë Shqipëria, sidomos në vitet e fundit, por ama po t’i hedhim sytë në 25 vitet që kanë kaluar, është e paimagjinueshme sesa shumë ka ecur përpara Shqipëria dhe njerëzit e brezit tim e shikojnë këtë gjë, ju siguroj, në po të njëjtën mënyrë mbresëlënëse.
Unë besoj se Shqipëria, udhëheqja e Shqipërisë e ju personalisht keni vepruar në mënyrë racionale, të drejtpeshuar, të balancuar dhe në një mënyrë të hapur, të ndershme si gjithmonë dhe e në mënyrë të vazhdueshme me vendosmëri, me konsistencë, me koherencë. Unë shpresoj shumë dhe uroj që ju të vazhdoni në të njëjtën mënyrë dhe ju garantoj që Shqipëria, institucionet shqiptare, qytetarët shqiptarë dhe ju personalisht do të keni mua personalisht dhe tek BE, gjithmonë në krahun tuaj, në këtë drejtim. E di që kemi kohë të vështira me të cilat po përballemi, por fakti që unë jam këtu, do të thosha që unë jam këtu duke buzëqeshur dhe faleminderit edhe për dhuratën, sepse ju siguroj që buzëqeshja ime nuk është aty gjatë gjithë kohës, por vërtetë ju jam mirënjohëse dhe jam shumë krenare për punën që ne do të vazhdojmë të bëjmë sëbashku, në të ardhmen.
Faleminderit!